Deputetja britanike: Perëndimi nuk ka ‘bosht kurrizor’ në mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi

22 nëntor 2023 | 10:50

Alicia Kearns, kryetare e komisionit të jashtëm në Britani të Madhe, ka thënë se vendi i saj, ShBA-ja, Gjermania, Franca dhe Italia duhet t’i heqin sanksionet ndaj Kosovës dhe të largohen nga një qasje  “me në qendër Beogradin”.

“Perëndimi po tregon në Ballkan një dështim për të pasur një bosht kurrizor dhe ne po tregojmë gjithashtu se nuk kemi marrë mësimet për të frenuar Rusinë”.

“Ne kishim një prioritet të tërë se si mos ta shqetësojmë apo rëndojmë Rusinë në dëm të atyre që e rrethojnë. Pikërisht e njëjta gjë është duke ndodhur këtu”, ka thënë ajo në një intervistë për “Financial Times”.

Kearns ka qenë ajo që ka paralajmëruar Westminster në korrik se militantët serbë po kontrabandonin armë në Kosovë, duke rrezikuar një shpërthim dhune.

“Keni parasysh atë që thashë në qershor”.

“Armët vinin nga Serbia me ambulanca, në Kosovë dhe ruheshin nëpër kisha. Dhe çfarë kemi parë? Armët që kanë ardhur qartazi nga Serbia… Dy nga terroristët që vdiqën atë ditë nga të shtënat ishin shoferë të ambulancës. Dhe ku u fshehën? Në një manastir”, ka thënë ajo, duke folur për ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Kearns, i cila ka vizituar vendin tonë ku autoritetet e Kosovës ruanin armët e konfiskuara, ka thënë se ishte e qartë se armatimi i shkallës ushtarake kishte qenë pjesë e depove të ushtrisë serbe.

“Numrat serikë përshtaten. Kjo nuk është si pjesë e rëndomtë  e pajisjeve që djem të rëndomtë të nivelit të ulët mblodhën së bashku dhe vendosën t’i përdorin. Këto janë pajisje të reja nga viti 2021. Ato që pashë ishin pajisjet më të fundit”, ka thënë ajo ndër të tjera.

Kerans ka folur edhe për hetimin e kryer nga Serbia ndaj saj, ku është akuzuar për veprim në emër të interesave të huaja.

“Për një president që kërcënon një deputet, është një reflektim i pasigurisë së Vuçiqit dhe se komentet e mia kishin goditur në shenjë”, ka thënë Kerans.

Ajo ka theksuar se pavarësisht që ndërmjetësuesit perëndimorë kanë kërkuar një kthim në tryezën e bisedimeve, situata ka mbetur e tensionuar.

“Nuk ka asnjë shenjë që bandat e krimit të organizuar që veprojnë brenda Kosovës të jenë ndalur. Nuk ka asnjë shenjë nga pala serbe… që ka reduktuar dëshirat në Kosovë”.

“Sistemi ndërkombëtar ishte bashkëfajtor në pretendimin se nuk kishte grupe të krimit të organizuar në Kosovë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se perëndimi duhet të përdorë më shumë nga provat që kishte dhe të godasë rrjetet e kontrabandës së armëve.

 

“Komuniteti ndërkombëtar i ka pasur këto prova – dhe zgjodhi t’i lirojë  disa. Problemi është qetësimi i Beogradit. Ne nuk mund ta pranojmë premisën se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Kosova nuk mund të braktisë aspiratat për integrim të plotë (perëndimor)”, ka thënë deputetja britanike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria u kualifikua për në finalet e Kampionatit Evropian “Euro…