Deputetja e PDK-së: Kosovës i duhet një qeveri që ka legjitimitet

26 maj 2020 | 14:36

Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pas mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane, ka thënë se qeveria Kurti nuk ka punuar fare në proceset integruese të Kosovës.

Ajo ka thënë se jo vetëm për shkak të pandemisë, kemi parë pak takime të kësaj qeverie me përfaqësues të BE-së.

Deliu-Kodra  është shprehur se Kosovës i duhet një qeveri që ka legjitimitet të plotë për të punuar në të gjitha proceset, duke përfshirë edhe atë integrues.

“Ju e dini që procesi i integrimeve evropiane nuk është proces i një qeverie, është proces i zgjatur i të gjitha qeverive me radhë të cilat e kanë filluar dhe janë pjesë edhe e procesit integrues dhe procesit të liberalizimit të vizave. Natyrisht është e rëndësishme që cilado qeveri të ketë legjitimitet të plotë. Një qeveri e cila nuk ka legjitimitet vështirë që do të mund të lëvizë edhe agjendën integruese. Kosovës më së shumit në këtë fazë i nevojitet një qeveri e cila kujdeset për sundimin e ligjit, e cila i kryen obligimet që i kemi marrë në raport me MSA-në dhe proceseve të tjera që i ndihmojnë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kemi parë shumë pak takime jo vetëm për shkak të pandemisë me homologë për ta ndihmuar Kosovën në këtë proces”.

“Unë i kuptoj se edhe shtet e BE-së i kanë pasur problemet e veta ashtu si ne, por Kosovës i duhet një qeveri e cila e ka  legjitimitetin e plotë për të kryer funksionin e saj në mbrojtje të interesave të të qytetarëve”, ka thënë Deliu-Kodra, raporton “EO”.

Më tutje, ajo ka thënë se në këtë mbledhje e kanë diskutuar një raport konfidencial të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), duke bërë me dije se nuk kanë marrë raportin e kërkuar nga ministrit i Integrimit, Blerim Reka në lidhje me ndihmën që i ka dhënë BE Kosovës gjatë pandemisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja e njohur Arabella Chi përmes një interviste të dhënë…