Deputetja Musliu në Gjermani: Gratë e mërgatës në mbështetje të PDK-së

02 tetor 2022 | 16:02

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, po qëndron në Regensburg të Gjermanisë ku ka takuar gra dhe vajza që jetojnë dhe punojnë në këtë qytet.

Deputetja Musliu ka theksuar se “këndvështrimet e tyre janë pragmatike dhe të qarta. Gratë dhe vajzat në diasporë presin nga ne më shumë angazhim, më shumë punë dhe përkushtim në rrugën tonë për ta rikthyer Partinë Demokratike të Kosovës në udhëheqje të shtetit”.

Ajo ka deklaruar se mërgata është në mbështetje të nismave që kanë peshë dhe rëndësi për vendin e për kombin, duke shtuar se është nevojë dhe domosdoshmëri e kohës që PDK-ja të kthehet fuqishëm e të qeverisë me vendin.

Deputetja Musliu ka treguar se biseda u zhvillua rreth dy temave kryesore: Avancimi i pozitës së gruas dhe proceseve aktuale politike.

“Kërkesat e tyre flasin një gjuhë të pastërt dhe pa hamendje. Avancimi i pozitës së gruas duhet të fokusohet në dy shtylla kryesore: Në luftimin e mentaliteteve të stërvjetëruara që në shoqërinë tonë u mbollën nga pushtuesit dhe në shkollimin cilësor të vajzave tona. Çdo çasje tjetër është sipërfaqësore dhe rezultati do të jetë po ashtu sipërfaqësor. Inspiruese është edhe gatishmëria e tyre për t’u bashkuar në kauza të vërteta për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit të PDK-së dhe atyre historike të Kosovës”, shkruar Musliu në “Facebook”.

Ajo ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës duhet të fokusohet në ngritjen e vetëdijës qytetare për ngritjen e kauzave kombëtare e shtetërore dhe të tregojë një vizion të qartë në raport me padrejtësitë që po u bëhën Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Calit, Nasimit e Hysniut.

“Respekt e mirënjohje për mërgatën tonë e cila po vazhdon angazhimin e fuqishēm për mbështetjen e Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës”, ka deklaruar Musliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
n'ZOOM është një emision që tash e më shumë se…