Dëshmia e James Rubin e demaskoj gjykatën e padrejtë të Hagës

15 shtator 2025 | 20:06

Shkruan: Astrit Gashi 

Dëshmia e James Rubin në Hagë nuk ishte thjesht një pasqyrë diplomatike e viteve të luftës në Kosovë, por një akt që risolli në qendër të debatit juridik dhe moral natyrën e vërtetë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rubin, ish-zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, deklaroi qartë se Hashim Thaçi nuk kishte autoritet komandues mbi UÇK-në por ai ishte përfaqësues politik, ndërsa vendimet ushtarake i merrnin komandantët në terren.

Ky dallim është thelbësor, sepse në të drejtën ndërkombëtare koncepti i “përgjegjësisë së komandës” është themel për akuzat për krime lufte dhe kërkon autoritet efektiv mbi trupat, dijeni për krimet dhe dështim për t’i parandaluar apo ndëshkuar ato. Në rastin Halilović (2005), Gjykata e Hagës vendosi se mungesa e autoritetit efektiv e shpëtoi të akuzuarin nga përgjegjësia. Pikërisht këtu lidhet dëshmia e Rubin së Thaçi nuk kishte kontroll efektiv mbi UÇK-në, akuzat për përgjegjësi komanduesi bëhen të paqëndrueshme juridikisht dhe në këtë menyrë duhet të lirohen të gjithë dukë rënë kjo pjesë e aktakuzës.

Rubin sqaroi se Thaçi duhej të konsultohej me komandantët e fushës dhe nuk mund të impononte vendime ushtarake, duke e vendosur atë në rolin e një negociatori politik dhe jo të një drejtuesi ushtarak. Në të njëjtën kohë, Rubin theksoi se Serbia gjithmonë ka tentuar të zhvendosë barrën e krimeve të saj mbi UÇK-në, ashtu siç kishte bërë më parë në Bosnje: spastrime etnike, deportime masive, varre të përbashkëta dhe më pas propagandë për të fajësuar viktimën.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për diplomatët që t’u tregojnë këtë të vërtetë, sepse e kanë jetuar në lëkurë dhe në gjak. Por në një sallë gjyqi, ka rëndësi që një zë ndërkombëtar ta artikulojë se UÇK nuk ishte aparati i një shteti kriminal, por lëvizja çlirimtare e një populli të pushtuar.

Kjo situatë na rikthen në një kontekst historik më të gjerë. Që nga Konferenca e Paqes në Paris, kur presidenti amerikan Woodrow Wilson shpëtoi shqiptarët nga planet e përçarjes dhe copëtimit të vendit, shqiptarët kanë kërkuar drejtësi dhe njohje ndërkombëtare. Në këtë linjë, dëshmia e Rubin nuk është thjesht një fjalë diplomatike por ajo sot demaskoi tentativat e një gjykate që shpesh duket se i mohon shqiptarëve të drejtën për të treguar të vërtetën e tyre historike. Ashtu si Wilson dikur mbrojti integritetin e shqiptarëve, Rubin sot vërteton atë që shqiptarët e dinin në damarët e tyre: UÇK ishte ushtria e lirisë dhe Thaçi ishte përfaqësues politik, jo komandant ushtarak.

Në plan më të gjerë, kjo dëshmi prek raportin mes drejtësisë juridike dhe drejtësisë historike. Drejtësia juridike mund të vonojë, të ngatërrohet ose të bjerë në kurthin e barazisë së rreme mes agresorit dhe viktimës. Drejtësia historike është e pashlyeshme: shqiptarët e dinë kush dogji fshatrat, kush i dëboi me dhunë familjet, kush mbushi varret masive. Dëshmia e Rubin shërben si korrigjim i një narrative të rreme dhe si përkujtim solemn se nuk mund të ketë barazi mes atij që mbron pragun e shtëpisë dhe atij që vjen me tanke për ta shkatërruar.

Procesi në Hagë nuk është vetëm gjykim i disa individëve, por një përpjekje për të riformatuar kujtesën e një populli. Rubin, me gjuhën e një diplomati, tha atë që shqiptarët e thonë me gjakun e tyre: UÇK ishte ushtria e lirisë, Thaçi ishte përfaqësues politik, dhe Serbia ishte dhe mbetet përgjegjëse për krimet. Historia nuk mund të rishkruhet në dëm të viktimës. Dhe kjo nuk është vetëm një çështje e të drejtës ndërkombëtare por është një çështje e së vërtetës që rreh në damarët e çdo shqiptari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fatmir Sopi, nënkryetar i OVL-UÇK-së, në emisionin Five në RTV…