Dështoi të arrijë pajtim me shtëpitë botuese për tekstet shkollore, MAShTI bën eksperimente me nxënës e prindër

21 gusht 2023 | 16:07

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShTI) nuk ka arritur marrëveshje me shtëpitë botuese lidhur me furnizimin me libra për nxënësit dhe mësimi do të fillojë për dhjetë ditë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një konferencë për medie të hënën, ka bërë me dije se janë duke e shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore të kalojë në llogaritë e prindërve.

Por nuk dihet se kur do t’u dalin parat prindërve për t’ua blerë librat fëmijëve të tyre. Për t’i përfituar këto para për libra, prindërit duhet të aplikojnë në e-Kosova, shkruan “Epoka e re”.

“Sivjet jemi duke e shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore sipas obligimit ligjor të MAShTI-t të bëhet në llogaritë e prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Shumë shpejt brenda dy-tri ditëve do të vendoset për këtë rrugë që po e shqyrtojmë. Paralelisht kemi përgatitur edhe platformën për aplikim në platformën e-Kosova me të gjitha detajet tjera dhe kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë që në njërën anë të kemi tekste cilësore për fëmijët dhe kujdes për buxhetin e shtetit”, ka thënë ajo.

Nagavci ka shtuar se furnizimi i nxënësve me tekste shkollore për vite me radhë ka qenë mjaft sfidues, për shkak të shumë sfidave.

Zëvendësministri i MAShTI-t, Taulant Kelmendi, ka bërë me dijes e pas shumë tentimeve për të zbritur çmimet në nivelin e përballueshëm për buxhetin e ndarë, shtëpitë botuese nuk kanë pasur mirëkuptimin.

“Së fundmi kanë dërguar letra se çmimet e tyre janë të panegociueshme. Kjo situatë dhe kjo gjendje e krijuar është e papërballueshme për MAShTI-n dhe buxhetin e shtetit. Ne nuk mund të kalojmë asnjë skemë të keqshfrytëzimit të taksave të qytetarëve tanë”, ka thënë Kelmendi.

Duke reaguar ndaj këtij lajmi, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla.

“Përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Ai thotë se këtë çështje e kishte zgjidhur rreth 15 vite më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi, duke u lehtësuar sadopak barrën e shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, përmes sigurimit të librave falas.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se këtë dështim të MASHTI-t do ta paguajnë fëmijët dhe prindërit e tyre.

“Nisma e Ministrisë së Arsimit që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e librave shkollor vetëm një javë para se të nisë procesi mësimor është nismë e gabuar, e vonuar që do të ketë pasoja për gjithë sistemin e posaçërisht për nxënësit dhe prindërit e tyre. Shteti nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë shantazhi dhe as kushtëzimeve eventuale nga ndonjë shtëpi botuese, por vendimet për gjëra kaq të rëndësishme për procesin mësimor duhet të merren shumë kohë më parë, të bëhen përgatitje dhe të mos pësojë gjithë shoqëria. Pra, kemi një dështim të MASHT-it meqë krejt në fund paskan marrë çmimet e larta nga shtëpitë botuese dhe tash i ngarkojnë familjet dhe prindërit e fëmijëve t’i blejnë librat”, ka shkruar në “Facebook” Bajrami.

Ajo ka shtuar edhe disa pyetje: “Çka nëse mjetet financiare që i shpërndan MASHT-i për këtë qëllim nuk do të mjaftojnë? Çka nëse s’ka libra mjaftueshëm në treg për nxënësit?”.

Ajo ka thënë se mungesat e librave në treg do të jenë të paevitueshme, sepse sipas saj, shtëpitë botuese nuk do të printojnë libra pa u siguruar që do të ketë kërkesë, e kërkesa e prindërve do të dallojë nga ajo e MASHT-it.

“Vitin e kaluar fëmijët tanë e kanë humbë një muaj mësim dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi. Ministre, mos i merr në qafë fëmijët sepse kanë humbur një muaj mësim vitin e kaluar. Mos i lë fëmijët pa libra se këtë nuk ta kanë borxh”, ka thënë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Për këtë lajm ka reaguar edhe analisti Imer Mushkolaj. “Qeveria dhe Ministria e dështuar e Arsimit tash ua komplikojnë jetën qytetarëve edhe më shumë, duke bërë eksperimente me nxënës e prindër. Kush po i mëson kaq mbrapsht athu?”, ka shkruar Mushkolaj në “Facebook”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë Veriore, Florian Qehaja, ka zhvilluar…