Dinjiteti i një vajze nuk është daullja e një djali

25 mars 2022 | 08:34

Nga: Elona Caslli

Nuk është pamje e shkëputur nga një film me pullë të kuqe. Nuk është pamje e shkëputur nga një dhomë hoteli. Është pamje e shkëputur nga emisioni ” Why not” në televizionin “Ora News” ku dinjitetit i një vajze trajtohet si daullja e një djali.

Me pak fjalë, një djalë dëgjon një melodi të luajtur nga orkestra e emisionit dhe duhet ta riprodhojë këtë melodi në vithet e dy vajzave që gjenden pranë tij. E gjithë kjo lojë sipas moderatores quhet “Tarabyça”.

Nga ekrani dëgjohet zhurma që prodhohet nga shuplaka e djalit që i ngjitet vitheve të vajzave. Kjo zhurmë shoqërohet edhe nga e qeshura e moderatores Roza Lati teksa e ndjek këtë proces dhe i gjithë ky proces përligj përdorimin publik të vajzave si objekte seksuale dhe e redukton një vajzë në daullen e një djali.

Një vajzë nuk është objekt seksual. Një vajzë është një qenie, një shpirt, një fat dhe është e dënueshme që ta përdorësh si objekt seksual në një shfaqje televizive.

Dikush mund të thotë se ato vajza e kanë pranuar vetë atë rol. Krejt në rregull, por përtej kapacitetit të ulët intelektual të vajzave, ka edhe një bord që miraton formatet televizive në çdo televizion, i cili nuk duhej kurrsesi të miratonte këtë shfaqje poshtëruese ku thyhet çdo kod etik dhe poshtërohet në thelb figura e vajzës shqiptare.

Çfarë mesazhi i jepet publikut shqiptar përmes kësaj pamjeje?! A mund të ma thotë kush?!

Kjo pamje nuk shpreh lirinë e vajzave shqiptare. Kjo pamje shpreh poshtërimin e tyre, pasi liria është e barabartë me dinjitetin dhe pa dinjitet nuk mund të ketë liri.

Kjo pamje shpreh vetëm kalbëzimin sistematik të hapësirave televizive të cilat poshtërimin e një vajze duan të na e servirin si lirinë e kësaj të fundit.

Jam tejet kureshtare të di nëse ithtaret e të drejtave të grave do të thonë ndonjë fjalë ose jo. Flas për ithtaret që miratuan zhveshjen e një vajze lakuriq në mes të Tiranës si akt rebelimi për dhunën ndaj gruas.

Post Scriptum: Poshtërimi i vajzave dhe dhunimi i të drejtave të tyre tashmë është kthyer në format televiziv dhe ngjitet në ekran duke u servirur si normalitet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Matthew Reisz, i biri i regjisorit të famshëm Karel…