Diplomacia ka rregulla, nuk është Hani i Ferizit ku të hyhet e të dilet kur t’i teket ndokujt
Ish-ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, ka thënë se pas lajmit më 30 gusht, ku bëri njoftimin se nuk kishte asnjë diplomat tjetër në Ambasadë për ta bërë dorëzim-pranimin e detyrës së ambasadorit, ka pasur e mendime nga më të ndryshmet në postimin e tij.
“E kuptoj se njerëzit reagojnë edhe me emocion. Reagojnë edhe duke mos pasur njohuri. Edhe duke gjykuar paushall e duke i futur të gjithë në një thes. Por ka dhe të atillë që duan të bijnë në sy me sharje e ofendime qoftë për t’i bërë ndonjë argat të keqes, qoftë për të shprehur lojalitet edhe kur nuk duhet, të cilët e meritojnë injorimin. Ajo që për mua ka qenë shumë inkurajuese ishte fakti se shumica e komenteve dhe e reagimeve kanë qenë me gjykim të drejtë”, ka shkruar Abazi.
Sipas tij, kishte dhe reagime mbi dezertim, si dhe aludime se deklarimet e disa ambasadorëve të shkarkuar, tregojnë se të tillët duhet të shkojnë. “Demek, se ata treguan se nuk janë të denjë për një detyrë të tillë”, ka shkruar ish-ambasadori.
Abazi ka theksuar se diplomacia nuk është Hani i Ferizit ku të hyhet e të dilet kur t’i teket ndokujt.
“Për shembull, vendeve ku ambasadori është i akredituar duhet me kohë t’u dërgohet Notë Verbale për t’i njoftuar me përfundimin e misionit, si përmbushje e detyrimit të vendimit të MPJD, si dhe t’i tregohet se kush mbetet në Ambasadë i/e Ngarkuar me punë e që duhet të jetë prezentë në shtetin pritës”, ka shkruar Hajdin Abazi.
Reagimi i plotë i tij:
Pas postimit tim në FB më 30 gusht, ku njoftova se nuk kishte asnjë diplomat tjetër në Ambasadë për ta bërë dorëzim-pranimin, postim të cilin e morën shumë portale, televizione e mjete të informimit dhe e publikuan – kam lexuar mendime nga më të ndryshmet.
E kuptoj se njerëzit reagojnë edhe me emocion. Reagojnë edhe duke mos pasur njohuri. Edhe duke gjykuar paushall e duke i futur të gjithë në një thes. Por ka dhe të atillë që duan të bijnë në sy me sharje e ofendime qoftë për t’i bërë ndonjë argat të keqes, qoftë për të shprehur lojalitet edhe kur nuk duhet, të cilët e meritojnë injorimin.
Ajo që për mua ka qenë shumë inkurajuese ishte fakti se shumica e komenteve dhe e reagimeve kanë qenë me gjykim të drejtë, neutral dhe në të mirë të diplomacisë. Gabimet nga kushdo që bëhen nuk duhet pajtuar me to, sepse asisoji bëhemi bashkëpjesëmarrës.
Kishte dhe reagime mbi dezertim, si dhe aludime se deklarimet e disa ambasadorëve të shkarkuar, tregojnë se të tillët duhet të shkojnë. Demek, se ata treguan se nuk janë të denjë për një detyrë të tillë.
Perceptimi i të këtillëve vetëm sa nxjerrë në sipërfaqe se nuk kanë dijeni se aspektet publike të diplomacisë nuk janë sekrete.
Sepse, diplomacia nuk është Hani i Ferizit ku të hyhet e të dilet kur t’i teket ndokujt, por ka rregulla. Për shembull, vendeve ku ambasadori është i akredituar duhet me kohë t’u dërgohet Notë Verbale për t’i njoftuar me përfundimin e misionit, si përmbushje e detyrimit të vendimit të MPJD, si dhe t’i tregohet se kush mbetet në Ambasadë i/e Ngarkuar me punë e që duhet të jetë prezentë në shtetin pritës.
Po ashtu, shteti pritës, me t’i përfunduar mandati një ambasadori, ia heq emrin në faqen zyrtare. Kjo shihet edhe nga faqja zyrtare e Deprtamentit për Punë të Jashtme. Ajo pasqyron mungesën e përfaqësimit diplomatik, pas 30 gushtit 2021, të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kanberë, Australi. Në këtë ueb-faqe ka qasje jo vetëm secila ambasadë, komison i lartë e konsullatë, por edhe secili individ kudo në botë.
Dielli nuk fshihet me shoshë.
Gjithsesi kjo ka pasë mundësi të mos ndodhte sikur udhëheqja e MPJD të mos manifestonte një rigjiditet deri në ekskomunikim për këtë aspekt ndaj meje si ambasador i Kosovës në Australi.
Se mund të kishte një ”happy end”, kur veprohet në interes të shtetit, tregon rasti i të Ngakuarit me Punë në Ambasadën e Shqipërisë, me të cilën e ndajmë së bashku të njëjtën godinë, ndonëse me hyrje të ndara. Edhe ai kishte ditën e fundit me 31 gusht 2021. Kur u ballafaquan me vështirësi udhëtimi për shkak të COVID-19, MEPJ e Shqipërisë ia vazhdoi mandatin në mënyrë shumë fleksibile, duke i thënë se do të qëndrojë në detyrë tri javë pasi të mbërrijë kolegu tjetër diplomat. Ai mund të vijë pas një jave, pas një muaji, apo edhe pas shumë muajsh, dhe kurdo që të vijë – nuk mbetet boshllëk diplomatik në Ambasadën e Shqipërisë.
Edhe MPJD e Kosovës ka mund të veprojë në mënyrë analoge, dhe do të ishte evituar mbetja e Ambasadës së Kosovës qoftë edhe një ditë të vemte pa diplomatë dhe nuk do të figuronte kjo gjendje në ueb-faqen zyrtare. Veprimi azhur, si rast emergjent, ka mund të bëhej edhe ditën e fundit, pra me 30 gusht.
Por, askush nga MPJD nuk tregoi një qasje të këtillë institucionale.



