Diskutohet për sistemin e ri të përgjegjësive disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve

18 janar 2019 | 15:17

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ka mbajtur të premten një takim koordinues për të diskutuar zbatimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyrës së BE-së, kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative të KGJK-së, drejtori i sekretariatit të KPK-së dhe drejtori i sekretariatit të KGJK-së.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka thënë se qëllimi i këtij takimi të përbashkët me përfaqësuesit e KGJK-së dhe partnerët ndërkombëtarë është diskutimi i hapave konkretë që kërkohen me ligjin e ri për zbatimin e suksesshëm të sistemit të ri të përgjegjësive disiplinore.

“Transformimi i sistemit disiplinor kërkon parapërgatitje intensive për vendosjen e çështjeve të rëndësishme në binarë të duhur dhe për të bërë ndryshimin brenda afateve të përcaktuara kohore”, ka theksuar Hyseni.

Në këtë takim u arrit pajtimi që të dy këshillat të udhëheqin procesin e transformimit të sistemit disiplinor përmes hartimit të akteve përkatëse normative, përfundimit të raporteve që janë në punë dhe përgatitjen për trajtimin e rasteve të reja, ashtu siç parashihet me ligjin e ri për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Gjithashtu në vijim u mor edhe mbështetja nga ana e partnerëve ndërkombëtarë për procesin e zbatimit të sistemit të ri të përgjegjësive disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madrid po regjistron rezultate të dobëta në La Liga.…