Diskutohet rreth procesit të vettingut në Kosovë

28 shkurt 2020 | 14:38

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj, ka marrë pjesë në tryezën me temë “Vettingu në Kosovë: Si të implementohet një proces i tillë në mënyrë që të sigurohet pavarësi e plotë e sistemit të drejtësisë?”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Panelistët e kësaj tryeze diskutuan për propozimet e fillimit të dizajnimit të këtij procesi nga institucionet relevante në Kosovë dhe rreth parimeve themelore në bazë të cilave duhet të ndërtohet procesi i vettingut, i cili konsiderohet të jetë i pashmangshëm për të siguruar integritet dhe pavarësi në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Kryesuesi Çoçaj, ka thënë se KGjK-ja është i hapur për bashkëpunim në çdo proces apo iniciativë që ka për qëllim përmirësimin e punës së gjyqësorit, sepse të gjithë kemi një qëllim të përbashkët, që të kemi një institucion të pavarur, efikas, llogaridhënës dhe të qasshëm për publik.

“Në sistemin tonë gjyqësor, konsideroj se duhet të bëhet një analizë e përgjithshme rreth funksionimit të tij që nga viti 2000 e deri më sot, në mënyrë që të përcaktohet se si ka performuar gjyqësori dhe si është sot. Me bindje ju them se sot, përkundër sfidave dhe vështirësive me të cilat përballet gjyqësori, ka edhe ndryshime pozitive të dukshme prandaj kërkoj që edhe këto të mirën parasysh në vazhdën e këtij procesi”.

“Kemi rritje të efikasitetit në përgjithësi, duke përfshirë edhe lëndët e korrupsionit, zvogëlimin e numrit të lëndëve të pakryera nëpër gjykata, rritje të llogaridhënies, transparencës, performancës, përmirësim të politikes ndëshkimore si dhe përmirësim në çështjen e konfiskimit. Sistemi gjyqësor ka ndikim në çdo formë të jetës së qytetarëve tonë, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm në çdo iniciativë dhe proces që ndërmarrim, me vetëm një qëllim, drejtësinë”, ka thënë Çoçaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Mitrovicë, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga…