DITA E KUJTIMIT TË MASAKRAVE!

11 janar 2021 | 23:12

(pse nuk e kemi, sa herë i kemi harruar na janë përsëritur?) 11.01.1921-11.01.2021

Nga: Shefqete Goslaci

Gollaku është krahinë kufitare e Kosovës me Serbinë, në vijën gjarpërore të lumit (Muti-vodë-Lumi i turbullt), përmes së cilit lidhet me Krahinën e Llapit.

Si e tillë në të gjitha periudhat historike të luftërave me Serbinë është ballafaquar e para me armiqtë shekullorë, sepse pa kaluar nëpër fshatin Prapashticë që është i pari në renditjen gjeografike të Gollakut, serbët nuk do të mund të depërtonin në krahinat tjera të Kosovës.

Aty u luftua dhe u rezistua në mënyrë heroike në çdo luftë, anipse fatkeqësishtë (mbase edhe jo pa qëllim) u harruan nga historianë dhe qeveritarë të çdo periudhe historike?

Masakra (e harruar e Prapashticës dhe Keqekollës (dikur Komunë), e 11 janarit të vitit 1921), sipas tregimeve të të mbijetuarve të asaj masakre, (dajve të babës tim Pacollëve) të Marecit, atë natë të kobshme e të acartë janari (1921), nga  çetnikët serb u masakruan dhe u mbytën me torturat më mizore 1520 shqiptar, pleq, gra burra e fëmijë, (shumica të mbytur me çekiq në kokë, me thika e bajoneta si dhe të lidhur me konopa rreth sanëve disa i pushkatuan e të tjerët i dogjën të gjallë, nën të rrahurat e tupanave me të cilat mbulonin zërat mbytës të shpirtërave të vrarë, ndërsa foshnjet i ngulisnin nëpër hunj gardhi…)).

Aty bora e toka ishin ulur në gjak!

Në Prapashticë është një monument kujtese për ata

shqiptarë të vrarë, është dhe varri i Heroit Ismet Asllani-Prapashtica, trimit që për më shumë se një dekadë (1990/99) ushqeu me bukë e furnizoj me ushqime dhe financa UÇK-në, dhe rekrutoj shumë të rinjë në radhët e UÇK-së.

Më 24 Mars 1999, natën e intervenimit të Natos në Kosovë, ra në pritë të barbarëve serb, e më vonë ju vranë edhe dy vëllezër).

Por në Prapashticë shkohet aq rrallë nga të gjithë, mbase kur flitet për masakrat, fillimishtë atje duhet të shkojmë, atje te kufiri, atje ku, kur perëndon dielli ulurijnë ujqit, dhe të jetosh në Prapashticë, në Keqekollë, në Zajqec, Tugjec, Koliq, e në të gjitha fshatrat e asaj vije kufitare, Marecit e të Gollakut, edhe sot është heroizëm.  Mbase ka plot qytetarë të Kosovës që se dinë as ku është kjo pjesë e Atdheut tonë, është mirë ta njihni atë bukuri natyrore, që ta numëroni, ta doni dhe ta llogarisni edhe tuajën?

Përderisa në vendet me demokraci të konsoliduar investohet në zonat kufitare si me infrastrukturë ashtu edhe me kuadra dhe burime njerëzore (ruajtjes nga shpopullimi, që në një aspekt mund të krahasohet me deportimin e heshtur (edhe sot), me qëllim të ruajtjes se elementit Kombëtar, në Kosovë ndodh e kundërta.

… dhe aq pak u shkrua dhe aq pak dihet edhe në këtë njëqindvjetor… (2021), sepse aq shumë fëmijë jetima u rritën në Prapashticë e në Gollak në përgjithësi, sa që s’pat kush t’ua tregonte e shkruante ato ngjarje mizorie.

Tregohet se Atdhetari  Nazim Gafurri është përpjekur ta sensibilizojë këtë masakër përmes një Komosioni Ndërkombëtar, dhe në përpjekje e sipër të organizimit është vrarë nga dy “shqiptarë”…?

Pse jemi kaq harrestarë dhe krenarë?

Para kujt dhe për çka?

Pse politikanët tanë i kushtojnë aq shumë rëndësi luksit e jo gjakut të derdhur, Atdheut?

Pse edhe pas një shekulli nuk po vetëdijësohemi?

E historianët tanë më shumë bënë politikë (dhe u përshtatën  politikave ditore), sesa Histori.

Ndërsa shkrimtari Dan Ibrahimi ka shkruar librat “Masakra në Prapashticë dhe Keqekollë”

(Janar 1921),  dhe “Gjenocidi serb në Malësinë e (Galabit) të Prishtinës”, botuar në Prishtinë në vitin 2015, duke na e sjellur në kujtesë këtë masakër të përmasave gjenocidale.

Sot, (e hënë, 11 janar 2021), është vënë gurëthemeli i një momumenti që do të ndërtohet nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, dhe më meritorja për këtë monument është asambleisjtja Natja Betja.

Malësorët e mij të dashur, në këtë njëqindvjetor Ju lus, nëse deri sot i heshtët dhimbjet dhe heroizmat tuaja, ngrituni mbi çdo ndasi partiake, mbi çdo interes personal, bashkohumi rreth DHIMBJES së bukur që u ngrit mbi lumenjtë e gjaku.

Gjaku nuk falë!

Vërtetë gjaku rrodhi lumenjë në Prapashticë e Gollak!

Çudi si mbijetuam?

Siç thot poeti Ymer Berbati.. Në kojë paqeje ta ndërtojmë Atdheun në punë dhe dije.

LAVDI E PËRJETSHME!

GJAKU U BËFTË DRITË!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror Zgjedhor, ka marrë vendimin për verifikimin e të…