Dita e zakonshme që u kthye në festë zyrtare, historia e 1 Majit
Kur isha në shkollë fillore, 1 Maji për mua ishte thjesht një ditë në natyrë me shokët e shoqet e klasës. Një aventurë e vogël pranverore: piknikë, lojëra dhe njohje të reja me nxënës nga klasat paralele. Aty na shoqëronte muzika dhe, çuditërisht, pothuajse në mënyrë skandaloze, edhe tymi i gomave të veturave që digjeshin.
Më vonë mësova se 1 Maji e ka zanafillën si një festë pagane për mirëpritjen e pranverës, e lidhur ngushtë me lulëzimin, gjallërinë dhe begatinë. Në kontrast të skajshëm me këtë lidhje me natyrën, më pas regjimet komuniste e shndërruan atë në një ditë manifestimesh, fjalimesh dhe organizimesh kolektive. Ndërkohë, në shumë vende të botës, si për shembull në Francë, kjo ditë tani na sjell në mendje protesta dhe demonstrate; momente që sfidojnë sistemet sociale, politike dhe ekonomike, si dhe shërbejnë për të kërkuar kushte më të mira pune.
1 Maji filloi të festohej si ditë simbolike e punëtorëve në vitin 1882, por mori një status më serioz dhe zyrtar në fund të shekullit XIX. Në vitin 1886, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rreth 200,000 punëtorë dolën në protesta duke kërkuar që dita e punës të zgjaste vetëm 8 tetë orë.
Protesta e punëtorëve, ajo që sot njihet si Haymarket Affair, çoi në një përplasje të përgjakshme në Çikago mes punëtorëve dhe policisë. Disa vite më vonë, në shenjë solidariteti, punëtorët francezë zgjodhën pikërisht 1 Majin e vitit 1890 për të ngritur të njëjtën kërkesë: tetë orë punë, tetë orë gjumë dhe tetë orë kohë të lirë. Sistemi i punës filloi të ndryshojë ngadalë dhe, me kalimin e kohës, u konsolidua edhe në nivel ligjor; në vitin 1919, qeveria franceze e zyrtarizoi ditën tetëorëshe të punës. Ajo që nisi si një protestë e izoluar, u shndërrua me kalimin e kohës në një ditë ndërkombëtare pushimi dhe reflektimi.
Shumë vende evropiane, si edhe Zvicra, në vitin 1890 ndoqën shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Francës, dhe që atëherë 1 Maji është një ditë e dedikuar punëtorëve. Është një mënyrë për të njohur kontributin e tyre në shoqëri dhe për të vazhduar së kërkuari më shumë të drejta dhe kushte më të sigurta e më të favorshme për punëtorët.
Pavarësisht kësaj tradite të gjatë, në Zvicër 1 Maji nuk ka statusin e një feste zyrtare në nivel federal dhe as nuk shoqërohet me protesta apo trazira të mëdha. Në këtë vend, vendimet për festat nuk merren nga një qendër e vetme, por u lihen në dorë kantoneve. Janë ato që përcaktojnë cilat ditë festohen dhe nëse trajtohen si e diela, pra si ditë kur i gjithë qyteti pushon dhe bizneset e dyqanet mbyllin dyert.
Në nivel kombëtar, vetëm 1 Gushti, dita e shtetit zviceran, gëzon këtë status. 1 Maji është shpallur festë zyrtare vetëm në disa kantone, si Zürich, Solothurn, Neuchâtel, Ticino dhe Basel, ndërsa në Bernë dhe Vaud mbetet një ditë e zakonshme pune.
Në thelb, kjo ditë ka kontribuar në arritje të rëndësishme për punëtorët: pushime vjetore të paguara, pushim të lehonisë, orar të rregulluar pune, të drejta pensioni dhe sigurime papunësie. Janë dashur dekada të tëra që kushtet e punës në Zvicër të arrijnë nivelin ku janë sot, që njihen si ndër më të mirat në botë, me paga të larta dhe të paktën pesë javë pushime në vit.
Pavarësisht këtyre kushteve të favorshme, diskutimi për përmirësime të mëtejshme mbetet i hapur. Ide pak më idealiste, si java katërditore e punës, si edhe kërkesa për të drejta më njerëzore dhe dinjitoze, si paga e barabartë mes grave dhe burrave apo pushime më të gjata për prindërit e rinj, vazhdojnë të jenë në qendër të debatit.
1 Maji nuk është vetëm një ditë feste; është një rikujtim se të drejtat që sot duken të zakonshme dikur janë fituar me shumë përpjekje dhe sakrifica.
Foto: https://time.com/5260887/labor-international-workers-day-google-doodle/



