Në Kosovë nuk ka asnjë rast me linë e majmunëve

25 maj 2022 | 14:22

“Rreziku i importimit të infeksionit ‘lija e majmunëve’ është një realitet, por lajm të mirë përbën fakti se të dhënat e deritashme tregojnë se ky virus nuk ka as për afërmi shpejtësi të përhapjes si Covid-19. Prandaj, vend për panik nuk ka, por vigjilenca nuk do të na mungojë”, ka thënë të mërkurën zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, në një konferencë për medie, bashkë me drejtorin e IKShPK-së, Naser Ramadani, për të ndarë me publikun informatat e përditësuara në lidhje me epideminë e lisë së majmunëve, infeksion tashmë i shfaqur në disa vende të botës, por jo edhe në Kosovë.

Ajo ka thënë se Ministria e Shëndetësisë, me strukturat e veta, po monitoron në vazhdimësi situatën, duke vlerësuar e analizuar të gjithë informacionin në dispozicion, duke vlerësuar rrezikun për popullatën në vend e duke përgatitur rekomandime për profesionistët shëndetësorë.

“Mësimet që i kemi të freskëta nga Covid-19 na mësojnë se infeksionet mund të përhapen shpejt prej një vendi në vend tjetër, e vendi ynë ka qarkullim me vendet ku tashmë është shfaqur kjo sëmundje. Jemi duke i studiuar masat të cilat po i marrin shtetet ku është shfaqur ky infeksion, si izolimi individual i rasteve të prekura dhe gjurmimi i kontakteve të tyre. Po e përsëris edhe një herë, të dhënat nga institucionet më relevante botërore tregojnë se përhapja e kësaj sëmundjeje është e ulët dhe, tash për tash, nuk ka raportim për përhapje me ajër, por kryesisht me kontakt direkt të afërt. Në vendin tonë deri më sot nuk është regjistruar asnjë rast me këtë sëmundje. Në IKShPK tashmë kanë filluar përgatitjet për porositë e testeve diagnostikuese për këtë sëmundje”, ka thënë ajo.

Drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, ka thënë se duke pasur parasysh se kjo sëmundje e ka djepin në Afrikë, dalja e sëmundjes në kontinentet e tjera paraqet brengë dhe, njëherësh, sfidë për përcjelljen e sëmundjes në vendin tonë.

Ai ka treguar se ekipet e epidemiologëve janë në gatishmëri të plotë dhe duke e përcjell ecurinë e sëmundjes dhe shfaqjen eventuale të ndonjë rasti të dyshimtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas sulmit që…