Drejtuesit e FBK-së kërkojnë përkrahje nga MKRS-ja  

21 gusht 2020 | 14:12

Drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), kryetari Arben Fetahu dhe sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku e kanë pasur një javë të ngjeshur sa i përket takimeve me zyrtarë të lartë të sportit, ku janë diskutuar tema nga më të ndryshmet e që lidhen me sportin përballë pandemisë, më saktësisht basketbollin përballë pandemisë.

Kryetari Fetahu dhe sekretarja e Përgjithshme Dushku janë pritur në një takim pune nga Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, si dhe nga ushtruesi i detyrës së sekretarit të Përgjithshëm në MKRS, Ibër Alaj. Tri temat kanë kryesore që janë ngritur si çështje më urgjente nga numri një i FBK-së, Arben Fetahu. Ndihma nga pakoja emergjente e Qeverisë për klubet tona, për basketbollistët/et, fillimi i garave të basketbollit dhe themelimi i Ligës Unike të Basketbollit.

“Me Ministren Dumoshi kemi pasur rastin t’i diskutojmë më në detaje problemet me të cilat po ballafaqohemi në këtë kohë pandemie ne si komunitet i basketbollit dhe për gjetjen e mënyrës më të duhur për përkrahje të klubeve dhe basketbollistëve/eve tona në këto kohë të vështira nga pakoja emergjente e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne e theksuam faktin se është e rëndësisë së veçantë për ne si Federatë që komuniteti ynë ta ndjejë përkrahjen nga Qeveria dhe nga vetë Federata, sepse ne gjithnjë e theksojmë faktin se sportistët dhe sporti janë ambasadori më i mirë i një shteti, andaj në këto kohë të vështira ne duhet të qëndrojmë përkrahë tyre dhe të dëshmojmë se ata janë gjithnjë të rëndësishëm për ne dhe jo vetëm atëherë kur arrijnë rezultate kulmore. Ministrja Dumoshi e kuptoi mjaft mirë situatën e FBK-së karshi klubeve dhe basketbollistëve/eve dhe premtoi se në një kohë shumë të shkurtër do të formohet një grup punues për të çuar procesin përpara”, ka thënë Fetahu, i cili vlerësoi lartë bashkëpunimin me MKRS-në për mbështetjen e parezervë ndaj projekteve të Federatës duke përfshirë ato të basketbollit dhe basketbollit 3×3. “Biseduam edhe për mundësinë e fillimit të garave të FBK-së me kalendarin e planifikuar, pra nga java e dytë e shtatorit kur edhe është në program të organizohet Superkupa e Kosovës, por se për këtë duhet pritur deri të hënën për të shikuar mundësinë se a mund të fillojmë me kohë apo duhet ta shtyjmë fillimin e garave. Po ashtu, ministrja tha se në koordinim me autoritetet përgjegjëse shtetërore, do të angazhohet që sa më shpejt që është e mundur të lejohet nisja e garave për edicionin e ri në basketboll. Gjithsesi Bordi i FBK-së të hënën më së largu do të marrë vendim për shtyrjen apo jo të fillimit të garave të FBK-së”, ka shtuar ai.

Ndërsa sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka bërë me dije se ministrja Dumoshi i ka dhënë FBK-së përkrahje për krijimin e Ligës Unike të Basketbollit.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër  Vuçiq, është deklaruar rreth raportimeve për…