Drejtuesit e KPMM-së vizitojnë Malishevën, shkak pezullimi i lejeve për gurëthyesit

16 janar 2020 | 14:10

Drejtuesit e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), të përfaqësuar nga kryesuesi i Bordit të këtij komisioni, Musa Shabani, drejtori ekzekutiv, Ramiz Krasniqi dhe zyrtarja ligjore, Selvete Greiqevci, janë takuar të enjten me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Malishevës, Rrahim Morina dhe përfaqësuat e subjekteve politike, Alban Mazreku  nga PDK-ja, Alban Krasniqi nga Vetëvendosje dhe Kastriot Berisha nga AAK-ja.

Qëllimi i këtij ishte sqarimi dhe konsultimi lidhur me vendimin e Kuvendit Komunal të Malishevës, për pezullimin e përkohshëm të lejeve dhe pëlqimeve për të gjithë gurëthyesit dhe operatorët tjerë që merren me veprimtari të ngjashme në territorin e kësaj komune.

Zyrtarët më të lartë të KPMM-së kanë dhënë sqarimet e tyre lidhur me mënyrën e dhënies së lejeve për zhvillim të veprimtarive për hulumtime, gurëthyes, separacione, përpunim të betonit dhe veprimtaritë e ngjashme, ndërsa përfaqësuesit e Kuvendit Komunal të Malishevës, e kanë arsyetuar vendimin  në fjalë për pezullimin e përkohshëm të gurëthyesve, me qëllim të vlerësimit të ligjshmërisë për dhënien e këtyre lejeve, si dhe për verifikimin e zbatimit të kritereve nga gurëthyesit, me qëllim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve, si pasojë e ndotjes së ambientit, minimeve që bëjnë këta gurthyes, pastaj dëmtimin e rrugëve dhe për çështje tjera të ndikimit negativ në mjedis.

Pas shumë sqarimeve të bëra në mes të dy palëve, kryesuesi i bordit të KPMM-së, Musa Shabani, ka deklaruar se ky komision tani e tutje nuk do të lëshojë leje operimi pa pëlqimin e Kuvendit të Komunal të Malishevës.

Ai ka sqaruar se KPMM-ja nuk mund të bëj tërheqje retroaktive të lejeve, duke paralajmëruar se Komuna e Malishevës do t’i bartë të gjitha pasojat e tërheqjes eventuale të pëlqimeve dhe lejeve.

Ndërsa kryetari i Malishevës, Ragip Begaj,  ka thënë se do të përpiqet për zbatim të ligjeve dhe vendimeve, si dhe do të angazhohet për zgjidhjen e të gjitha çështjeve me interes për qytetarët të kësaj komune.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka mbajtur një…