Drita me synime të mëdha në kampionatin e ri

12 gusht 2022 | 15:14

Skuadra e Dritës nga Gjilani ka synime të mëdha në edicionin e ri të futbollit 2022/23, i cili fillon sot (e shtunë). Ky klub ka mbajtur të premten konferencë për medie, ku të pranishëm ishin trajneri Ardian Nuhiu dhe kapiteni Ardian Limani.

Trajneri Nuhiu ka thënë se pjesëmarrja në garat evropiane nuk do të diskutohet për klubin gjilanas. “Objektivat do të jenë ndeshje për ndeshje, duke fituar çdonjërën apo duke mos humbur asnjërën. Nuk diskutohet që me një skuadër si kjo e jona me aq shumë potencial, me futbollistë cilësorë gjithmonë janë objektivat madhore. Evropa nuk duhet të diskutohet dhe gjithmonë të jemi rivalizues për ta fituar titullin. Nuk do të jetë aspak e lehtë sepse në garë nuk do të jemi vetëm, por do t’ia lëmë që në fund ta bëjmë numërimin dhe të shohim se çfarë do të na sjellë kampionati gjatë rrugës”, ka thënë Nuhiu.

Në linjë të njëjtë me  trajnerin është edhe kapiteni i skuadrës, Ardian Limani, i cili ka deklaruar: “Me padurim po e presim fillimin e ri, vijmë pas paraqitjeve shumë të mira në Evropë, por ato tashmë i kemi lënë pas dhe duhet të fokusohemi te ndeshjet kampionale. Duhet ta fillojmë mirë, sepse një fillim i mirë do të thotë një kampionat i mirë. Duhet t’i qasemi ndeshje pas ndeshje në të njëjtin nivel sikur ndeshjet e Evropës dhe gjithmonë për fitore dhe për objektivat e klubit”.

Ndeshjen e parë skuadra e Dritës e zhvillon kundër Trepçës ’89 në Mitrovicë. Lidhur me këtë ndeshje, Nuhiu ka deklaruar: “Na pret një skuadër që gjithmonë meriton të jetë në Superligë, sepse ka dëshmuar gjithmonë cilësi. Ata kanë ruajtur grupin dhe jorastësisht janë rikthyer, por mendoj se skuadra jonë është gati dhe është e rëndësishme ta bëjmë maksimumin të gjithë që ta nisim kampionatin mbarë”. Kapiteni Ardian Limani për ndeshjen e parë të edicionit të ri ka thënë se përballja me 89-shin gjithmonë është e vështirë, por Drita synon fitore.

“Na pret një ndeshje e vështirë, sepse në Mitrovicë ka qenë gjithmonë e vështirë, prandaj duhet të shkojmë me seriozitet maksimal. Jo vetëm të shtunën, por në çdo ndeshje në kampionat duhet të hyjmë për fitore. Nëse me këtë skuadër futesh për një rezultat tjetër, pos fitores, atëherë kemi dështuar që në fillim. Mendoj se mentaliteti i skuadrës sonë ndër vite është krijuar me synim fitoren”, ka deklaruar Limani.

/Veton ZYMBERI/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
80 mijë turistë janë bllokuar në provincën turistik të Hainanit…