Drita në krizë rezultatesh, Nuhiu dhe Ajzeraj: Për fitore ndaj Feronikelit

19 tetor 2021 | 11:29

Trajneri Ardian Nuhiu dhe futbollisti Almir Ajzeraj kanë paralajmëruar se skuadra e Dritës do t’u rikthehet fitoreve që nga ndeshja kundër Feronikelit e cila zhvillohet sot (e martë) me fillim nga ora 13:00.

Nënkampionia e Kosovës në futboll ka hyrë në një krizë të thellë rezultatesh pasi në pesë ndeshjet e fundit nuk ka shijuar asnjë fitore, derisa nga nëntë ndeshjet e zhvilluar në këtë kampionat ka regjistruar gjithsejtë tri fitore, katër barazime dhe dy humbje. Kjo skuadër sot (e martë) do të përballet me skuadrën e Feronikelit.

Trajneri Ardian Nuhiu ka thënë se skuadra e tij do ta japë maksimumin për ta marrë maksimumin e pikëve ndaj “Niklit” në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. “Tri ditë më tepër jemi përkushtuar të punojmë në aspektin psikologjik sesa në atë taktik. Të martën na pret një përballje mjaft e fortë ngaqë kemi një kundërshtar i cili ka në përbërje futbollistë që e njohin mirë kampionatin dhe deri tani kanë ecur mirë. Futbollistët janë gati të japin edhe më tepër se maksimumin për ta marrë maksimumin. Jam i bindur se djemtë do të sakrifikojnë gjithçka për atë që duam të marrim. Mendoj se skuadra në ndeshjen e radhës do të reflektojë. Kemi nevojë për një rezultat të mirë dhe tri pikët e plota”, ka thënë Nuhiu.

Krahas trajnerit Nuhiu, në konferencë për media i pranishëm ishte edhe futbollisti Almir Ajzeraj. Futbollisti i talentuar ka thënë se çdo ndeshje është e rëndësishme për Ditën, ndërsa rezultateve pozitive skuadra do t’u kthehet në ndeshjen ndaj Feronikelit. “Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe mendoj se periudhën e rezultateve të këqija tashmë e kemi kaluar dhe nga e marta besoj se do të rikthehemi te fitorja. Ekipi është i përgatitur, stërvitjet kanë shkuar mirë dhe besoj se nga nesër do të rikthehemi. Sa iu përket rezultateve të deritanishme, ka qenë një ngërç psikologjik, kemi stërvitur shumë dhe tashmë janë rikthyer edhe futbollistët e lënduar dhe tashmë jemi më të kompletuar. Prandaj nga nesër besoj se do të krijojmë, rrezikojmë e shënojmë më shumë, sepse loja e mirë nuk na ka munguar dhe shpresoj të rikthehemi aty ku e kemi vendin te rezultatet e mira dhe fitoret”, ka deklaruar Ajzeraj.

Në ndeshjen e radhës Drita do të ketë mungesën e Arbnor Mujës, i cili është i lënduar. Feronikeli renditet në pozitën e shtatë me 10 pikë, kurse Drita është e katërta me 13 pikë. Sot zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera. Do të takohen Prishtina – Malisheva dhe Ulpiana – Llapi.

SUPERLIGA – Java 10

Të martën takohen:
13:00 Feronikeli – Drita
13:00 Ulpiana – Llapi
13:00 Prishtina – Malisheva

Të mërkurën takohen:
13:00 Dukagjini – Ballkani
13:00 Gjilani – Drenica

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prindërit në Kinë, fëmijët e të cilëve do të shfaqin…