Drutë dyfish më shtrenjtë sesa vitin e kaluar, qytetarët: S’kemi qare pa i blerë

25 shtator 2022 | 13:49

Në qytetin e Mitrovicës çmimi i druve për metër kub nga 30 euro sa ka qenë një vit më parë, është rritur në 60 euro.

Qytetarët të cilët konsiderojnë se ngrohja me dru është e vetmja mënyrë për të përballuar temperaturat e ulëta gjatë dimrit, kanë thënë se çmimi është i lartë dhe i papërballueshëm për ata, por megjithatë duhet të bëjnë ndonjë zgjidhje dhe t’i marrin ato.

Zejnullah Manxholli, qytetar nga Mitrovica, i cili kishte dalë në treg për të blerë dru, ka bërë me dije për “Kosovapress”, se çmimi prej 60 eurosh për metër kub është jashtëzakonisht i lartë dhe i papërballueshëm për të.

Ai është kthyer në shtëpi pa kryer punë duke thënë se tani për tani nuk ka mundësi t’i blejë drutë, por është shprehur se së shpejti duhet të bëjë ndonjë zgjidhje për shkak të fëmijëve të vegjël që ka.

“Dola në treg sepse jam i interesuar për dru, por m’u dukën shumë shtrenjtë. 60 euro po më duken shtrenjtë për gjendjen çfarë është momentalisht në Kosovë. S’kam mundësi, shumë shtrenjtë, me këto rroga dhe pensione. Duhet me bërë një zgjidhje diqysh, nuk kam qare pa i ble për shkak të fëmijëve. Drutë janë shtrenjtë momentalisht, meqenëse të gjitha artikujt janë ngritur, por drutë për së tepërmi mua po më duket”, ka thënë Manxholli.

Ndërsa Sabit Hasani, një mitrovicas tjetër, i cili akoma nuk e ka zgjidhur çështjen e ngrohjes për këtë dimër, ka thënë se çmimi i druve është shumë i lartë.

Sipas tij, ata të cilët janë në marrëdhënie pune disi e zgjidhin problemin, por të tjerët që jetojnë me ndihma sociale dhe pensione, duke përfshirë edhe ato invalidore, e kanë shumë të vështirë. Në këtë kontekst, ai ka apeluar tek institucionet që ta ndihmojnë këtë kategori të qytetarëve.

“Jo valla, akoma nuk kemi blerë dru. Shtrenjtë po shkojnë, 60 euro metra. Kush punon prapë diçka bënë, por për ata që janë me social, shtrenjtë. Vitin e kaluar ka qenë çmimi i druve 30 euro, tash 60 u bë. E kisha lutë Bedri Hamzën me iu ndihmuar këtyre që janë me ndihma sociale, pensione invalidore, me ju ndihmuar komuna”, ka thënë Hasani.

Edhe Bilall Shyti, ka pranuar se çmimi i druve është i lartë dhe i papërballueshëm për qytetarët.

Ai ka thënë se i ka siguruar drutë qysh në muajin qershor me çmim prej 45 eurosh, ndërsa ka bërë thirrje institucioneve ta ndihmojnë popullatën për ta tejkaluar këtë situatë të vështirë.

“Po më herët i kam marrë drutë, në qershor nga 45 euro kanë qenë, ndërsa tani shumë janë shtrenjtuar 55-60 euro dhe nën këtë çmim nuk mundesh me gjetë. Për popull është vështirë sepse kushtet janë shumë të rënda. Rrogat dhe pensionet janë shumë të vogla, ndërsa njerëzit e kanë shumë problem me gjallëruar deri në fund të muajit. Qeveria duhet të marrë masa për me i ndihmuar këtij populli për me tejkaluar krizën. 60 euro një metër dru është shumë, mere me mend 10 metra 600 euro, sot është shumë vështirë me i siguruar. Qysh me i siguruar, pensioni është 200 euro, është problem”, ka thënë Shyti.

Kurse dikush prej atyre që kishte dalë në treg për të blerë dru, çmimin prej 60 eurosh nuk e bënte problem.

Avdyl Bajrami, i papunë, por që ka katër fëmijë të cilët punojnë jashtë Kosovës, ka thënë se drutë nuk janë shtrenjtë.

Ai ka thënë se çmimet e të gjitha artikujve janë ngritur dhe jeta është bërë e shtrenjtë në përgjithësi, andaj edhe shitësit e druve duhet të fitojnë sepse edhe ata kanë familje.

“Jo, ma merr mendja se nuk janë shtrenjtë drutë. Dikush po i mbanë 60 euro  e dikush 70 euro metrin, por ky kojshiu me tha se m’i lenë më lirë. Nuk punoj asgjë, varem nga fëmijët të cilët janë në diasporë. Jeta u bë e shtrenjtë, edhe këta duhet me përfituar diçka sepse edhe këta kanë familje”, ka thënë Bajrami.

Në anën tjetër, shitësit e druve nuk deshën të deklarohen para kamerës, por prapa saj thanë se “kush i shet drutë janë lirë, ndërsa për ata që i blejnë janë shtrenjtë”. Ata janë arsyetuar se duhet shumë punë derisa t’i përgatisin ato për shitje, duke përmendur këtu prerjen e tyre, ngarkimin në kamion, pastaj transportin, etj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është ndarë nga jeta profesori universitar, Belul Beqaj. Lajmin për…