Dushku: Kemi jetësuar ëndrrën e shumë gjeneratave

02 korrik 2021 | 17:38

Kosova A për herë të parë do të garojë në arenën ndërkombëtare në konkurrencën e femrave. Ishte vendim i Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) të formohet Përfaqësuesja A e Kosovës në konkurrencën e femrave dhe të marrë pjesë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla.

Në këtë mënyrë u jetësua ëndrra e shumë basketbollisteve që ta veshin fanellën e Kosovës, kurse këtë privilegj nuk e kishin shumë lojtare në të kaluarën, pasi Kosova nuk ishte e pranuar ndërkombëtarisht.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka folur për rëndësinë që ka formimi i Përfaqësueses A dhe pjesëmarrja në garat ndërkombëtare. “Shumë gjenerata kanë ëndërruar, punuar e luajtur me vite të tëra, por nuk kanë pasur mundësi të luajnë për Kosovën A në garat zyrtare. Sot këtë nder dhe kënaqësi e kanë vashat e Kosovës. Ekipi i Kosovës përbëhet nga lojtare me përvojë, por edhe të reja. Besojmë se kjo është mënyra më e duhur për ta përfaqësuar vendin tonë në garat ndërkombëtare”, është shprehur Dushku për faqen zyrtare të FBK-së.

Ish-basketbollistja më e mirë në Kosovë thotë se vashat dardane janë të motivuara për një përfaqësim sa më dinjitoz. “Duke parë motivimin e vashave në stërvitje, jam e bindur se do ta japin maksimumin. Është nder dhe krenari të luash për Kosovën. Jemi në një mision shumë të rëndësishëm dhe duam të jemi shembull edhe për gjeneratat e ardhshme”, ka shtuar Dushku. “Deri më tani kemi garuar vetëm me përfaqësuese të reja, kurse tashmë edhe me Përfaqësuesen A. Është një ëndërr e realizuar për vashat me përvojë. Vajzat e reja do të kenë motiv më të madh për të punuar në të ardhmen, në mënyrë që një ditë ta përfaqësojnë Kosovën A. Pjesëmarrja në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla nuk është vetëm një garë për ne, por një mision, për të cilin është punuar me vite të tëra”, ka nënvizuar ish-basketbollistja e Universitetit të Prishtinës, me të cilën skuadër garoi në Ligën Trocal.

Dushku shton se FBK-ja i kushton shumë rëndësi basketbollit femëror. “Ne duam ta masivizojmë basketbollin femëror, por edhe duam që ato të qëndrojnë në basketboll, ta vazhdojnë karrierën si trajnere, gjyqtare, administratore apo edhe udhëheqëse në klube të ndryshme. Përpiqemi të mbështesim edhe klubet e basketbollit te femrat dhe personat që janë të angazhuar në basketbollin femëror”, ka përfunduar Elvira Dushku.

Kampionati Evropian për Shtete të Vogla do të mbahet nga 20 deri më 25 korrik në Qipro. Kosova është në grup me Qipron dhe Luksemburgun, ndërsa në këtë garë marrin pjesë shtatë përfaqësuese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori universitar dhe shefi i katedrës së Gjeodezisë në universitetin…