DY FJALË PËR DREJTORIN, MIKUN, KOLEGUN ROLAND KAÇANI -“LANDI”

12 nëntor 2019 | 11:24

Bali Mahmuti

Jeta shpeshherë bën të sajën, pa pyetur për dëshirat e njerëzve të shumtë që do të donin ta kishin pranë Roland Kaçanin edhe për shumë vjet të tjera. Edhe ne miqtë, kolegët, shokët e familjarët nuk kemi ç’të bëjmë tjetër veçse t’i shfletojmë kujtimet dhe, njëkohësisht, ta shprehim respektin e thellë për shokun tonë që u largua para kohe, papritur, në një moshë ende të re, kur kishte ende shumë për t’i dhënë shoqërisë, vendit dhe familjes së tij.

Roland Kaçani ishte pionier në fushën e sigurimeve në trojet shqiptare dhe më gjerë. Ai vuri themelet në lëmin e sigurimeve në territoret shqiptare, e avancoi këtë sektor në Kosovë dhe në Shqipëri në stadin e sigurimeve evropiane, e modernizoi atë duke bërë përpjekje ditë e natë për t’i ngjarë sa më shumë sektorit të sigurimeve evropiane. Ishte nga ata bredhës që vazhdimisht kërkonte shtegun e duhur dhe për këtë nuk e fillonte ditën e sotme aty ku e kishte përfunduar të djeshmen, ashtu siç edhe perëndimi i diellit nuk na gjen aty ku na ka lënë lindja e tij.

Vdekja tragjike e Roland Kacanit, drejtorit të Kompanisë së Sigurimeve “SIGMA” Interalbania vig sh. a. – Dega në Kosovë, është një humbje e madhe për komunitetin e biznesit, e sidomos të komunitetit të fushës së sigurimeve në Kosovë dhe në Shqipëri. Kontributi i tij për çuarjen përpara të rrjedhave biznesore shqiptare dhe për avancimin e veprimtarisë së sigurimeve në territoret shqiptare është i pashlyeshëm. Ishte njeri me dije, gjuhë, kulturë e vizion, njeri që komunikonte me gjuhën dhe logjikën evropiane. U imponua në lëmin e sigurimeve me aftësi të pashoqe, me përkushtim dhe me korrektësi shembullore. Këtë e arriti duke studiuar këtë lëmë që, në thelb, duke vazhduar pareshtur aftësimin profesional dhe duke përvetësuar dhe aplikuar përvojat dhe standardet më të avancuara evropiane në këtë fushë. Ai e kishte synim primar që lëmin e sigurimeve ta bëjë të besueshëm për profesionalizmin dhe korrektësinë ndaj klientelës.

Ai nuk reshti dot së kërkuari që të aplikohet standardi i respektimit, në radhë të parë të klientit, të të dëmtuarit. Në këtë mënyrë e krijoi autoritetin e tij prej një profesionisti të pashoq, si dhe ngriti kompaninë e sigurimeve “SIGMA” interalbanian vig sh. a. në standin e kompanive lidere jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe në rajon e më gjerë. Ai në vitet e pasluftës në Kosovë u angazhua fuqishëm për t’i përbashkuar sa më shumë rregullat dhe normat ligjore të sigurimeve në Kosovë dhe në Shqipëri. Ishte i veçantë në ngulmimin e tij që të unifikohet legjislacioni ndërshqiptar i sigurimeve dhe në këtë aspekt ai shërbeu si urë ndërlidhëse ndërshqiptare.

E deshën të gjithë ata që e njohën në Shqipëri, Kosovë e më gjerë, dhe nuk ishin të paktë. Të gjithë do ta ndiejmë gjatë mungesën e tij, familja, shoqëria, bashkëpunëtorët, e veçanërisht ne që kemi pasur fatin të punojmë së bashku në tregun e sigurimeve, gjegjësisht në kompaninë e sigurimeve “SIGMA” interalbania vig sh. a. – Dega Kosovë, që ishte edhe vetë jeta e tij, ku falë vizioneve të Rolandit u bë e njohur dhe me shumë reputacion në industrinë e sigurimeve jo vetëm brenda Kosovës, por edhe më gjerë.

Njeri i shquar për dije, për shpirtin e ndërmarrësisë, por edhe për korrektësinë e sinqeritetin e pashoq. Realizimet e projekteve të tij, debatet e tij, leksionet e tij, organizimi që bëri ndër vite kompanisë së sigurimeve “Sigma”, për ne do të mbeten shenja kujtese të përhershme e të shtresuara thellë në ndërgjegjen tonë. Duhet folur paksa edhe për Rolandin njeri jashtë punës, për Rolandin të cilit familja dhe ne miqtë e tij të afërt do t’ia ndiejmë mungesën. Pak njerëz kemi njohur në jetë që ta kishin mirësinë e tij në shpirt dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj të afërmve në nevojë; karakteristikat e tij si një fëmijë shembullor për prindërit, vëlla i pashoq për motrën dhe vëllanë, xhaxha, dajë i pashoq për nipërit dhe mbesat.

Njeri që rrezatonte veç ndjesi pozitive dhe që nuk e dëgjoje asnjëherë të fliste keq për askënd. Shembull tolerance, qytetarie e virtyti… njëri që kur e takonim na induktonte me pozitivitetin dhe energjinë që e tejçonte aq bindshëm të ne.

I ndritë shpirti për jetë se ishte shok bujar, burrë dhe njeri i mirë që do të mbetet shembull dhe krenari familjare, shoqërore, patriotike dhe intelektuale për ta pasur lakmi. Sepse ai shkoi për të mbetur me ne – përgjithmonë. Është ky ligj i amshueshëm i Zotit!

Landi, po largohesh duke na lënë një zbrazëti të pambyllshme.

Do të na mungojë prania jote, fjala jote, e qeshura jote, këshilla jote e mençur!

Ti shkove befasisht, duke na lënë të trishtuar dhe të tronditur, por do të jesh gjithmonë me ne dhe ne do t’i vazhdojmë projektet e mëdha që na i le.

Lamtumirë Drejtor, shok, mik i shtrenjtë!

U prehsh në paqe dhe i përjetshëm qoftë kujtimi yt!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sarah Hyland, 28-vjeçare, ka vendosur të heqë një tatuazh nga…