Dy kadetë të FSK-së diplomojnë në Britani

10 gusht 2018 | 17:34

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të dy kadetëve të FSK-së, nëntogerëve Kemajl Haliti dhe Çlirim Morina.

Të dy kadetët e FSK-së kanë përfunduar me sukses trajnimin dymbëdhjetëmujor, i cili ka qenë i bazuar në një program mjaft intensiv, me qëllim që t’i përgatisë oficerët e rinj që të jenë udhëheqës kompetentë, të aftë të marrin gjykime të drejta dhe t’i kryejnë detyrat në mënyrë profesionale.

Nëntogeri Kemajl Haliti është oficer i ri i FSK-së nga radhët e komunitetit rom që paraprakisht ka mbaruar shkollimin në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së dhe ishte përzgjedhur për studime në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sundhurrst”, mundësi kjo që aplikohet në barabarësi për të gjithë pjesëtarët e FSK-së.

Pas kthimit nga Mbretëria e Bashkuar, nëntogerët Haliti dhe Morina do të shërbejnë në FSK, me detyrë komandant togu, në Batalionin e Parë të Reagimit të Shpejtë në Gjilan, respektivisht në Batalionin e Dytë të Reagimit të Shpejtë në Istog.

Akademia Ushtarake Mbretërore Sandhurst vlerësohet si një ndër akademitë më prestigjioze në botë, nga e cila kanë dalë udhëheqësit më të suksesshëm ushtarakë nga mbarë bota. Çdo vit kjo akademi trajnon më shumë se 600 oficerë të rinj në kuadër të së cilës marrin pjesë edhe shtetet e tjera të botës, përfshirë këtu edhe Kosovën.

Forca e Sigurisë së Kosovës, bazuar edhe në marrëveshjen e bashkëpunimit me Ushtrinë e Britanisë së Madhe, do t’i dërgojë kadetët e vet për shkollim në këtë akademi prestigjioze edhe në të ardhmen, me qëllim që me njohuritë e fituara të jenë kontribuues në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rraham Rama, ka përgëzuar nëntogerët Haliti dhe Morina për suksesin e arritur në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sundhurst” në Mbretërinë e Bashkuar, njëherësh ka kërkuar nga ta që njohuritë e fituara t’i zbatojnë me sukses në detyrat e reja në Forcën e Sigurisë të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Jakup Krasniqi Shqiptarët në Kosovë nuk kanë ndonjë teoricien…