Dyshime për financimin e sondazheve, Haradinaj: I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë prejardhjen e parave

27 dhjetor 2023 | 19:00

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur pas sondazheve të fundit, të UBO Consulting, sipas të cilës, AAK-ja në zgjedhjet e ardhshme do të mund t’i marrë vetëm shtatë ulëse në Kuvend. Pra më pak se në zgjedhjet e fundit.

Haradinaj, në një intervistë për Telegrafin, i ka quajtur fabrikime për favorizime të caktuara, duke shtuar se megjithatë nuk do të kenë mundësi t’i mashtrojnë qytetarët përmes këtyre sondazheve.

“Sondazhet po kushtojnë, më i zakonshmi 25 mijë euro, kush po i porosit sondazhet po i ka mënyrat me llojet e pyetjeve, me renditjen e pyetjeve, mostrat, marzhën e gabimit, kuptohet me favorizu veten. Ne si Aleancë nuk kemi shku me këto fabrikime. Por këto i ka ba para zgjedhjeve, Armend Muja, tash deputet i Vetëvendosjes dhe Ermal Panduri. Ata që janë mundu me e bind Kosovën se kështu po shkon votuesi dhe kanë pas sukses njëherë, por nuk besoj që do të munden prap dikush me i mashtru qytetarët e Kosovës, me e rrejt Kosovën”, tha Haradinaj.

Sipas kreut të AAK-së, kjo është tendencë për t’ju dhënë drejtim votuesve, pasi thotë se viti 2024 mund edhe të quhet si vit zgjedhor.

“Jemi në vitin zgjedhor, me Kushtetutë të Kosovës dhe ligje, më së largu në janar 2025 duhet me u mbajtë zgjedhjet parlamentare që i bie, vitin që vjen jemi në zgjedhje parlamentare, të cilat munden me u mbajtë edhe në pjesën e parë, viti i fundit i mandatit të Kurtit. Nëse janë të befasishme, edhe më shpejtë. Po shihet që ka tendenca me ju dhënë drejtim votuesve”, u shpreh Haradinaj.

Ish-kryeministri, i bëri thirrje prokurorisë për hetim ndaj atyre që bëjnë këso lloj sondazhe, pasi thotë se nuk dihet prejardhja e financimit, dhe se munden me qenë para të krimit e korrupsionit.

Madje Haradinaj tha se ka pasur dyshime që Vetëvendosje, në zgjedhjet e kaluara ka marrë burime të parave të armiqve të Kosovës.

“I kisha bo thirrje Prokurorisë, që sa herë që ka sondazhe, t’i intervistojë ata që i kanë zbatu sondazhet, kush i ka financu këto sondazhe, dhe a janë financim transparent, a janë ligjor, a kanë shku përmes xhirollogarive apo mënyrave të tjera. Këto munden me qenë edhe para të krimit e korrupsionit. Me e ditë çka po ndodhë, kush po e mashtron qytetarin e Kosovës, pasi ka pasur dyshime që Vetëvendosje, zgjedhjet e kaluara ka marrë burime të parave të armiqve të Kosovës”, shprehet Haradinaj.Lideri i Aleancës shkon edhe më tej, duke pretenduar se mund të ketë edhe agjenda të caktuara ruse apo kineze.

“U vërtetua pastaj edhe tregtia e energjisë, e ato çantat me para që janë tërhequr. Kemi dëshirë që prokuroria mos me u vonu me i shiku kur po i financon dhe cili është qëllimi final. Nëse është qëllimi final me na mbajtë nën agjendën ruse ose kineze ose të serbe, ta dimë pra kush më kënd është. Nuk guxojmë me i lënë pakufi njerëzit që të bëjnë eksperimente me Kosovën”, deklaroi Haradinaj.

Pas publikimit të këtyre matjeve ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku e ka quajtur “një propagandë e lodhur”, sondazhin e fundit nga UBO Consulting.

Ai thotë se tash e dy muaj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka porositur një seri sondazhesh, më të mëdhaja në historinë e anketimeve në Kosovë.

“Deri më tani, kanë përfunduar mbi 17,000 anketa vetëm në regjionin qendër. Rekord anketimesh këto për të siguruar saktësi të paprecedentë statistikore. Në pyetjen se, nëse zgjedhjet nacionale mbahen këtë të diel, për cilën parti do të votonit, rezultatet për LDK, të marra deri më tani vetëm për 5 qytete në regjionin qendër.

Edhe zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka kritikuar këto matje pasi sipas tij për PDK-në u dhanë tri opsione e për LDK-në vetëm një.

“Për PDK-në janë dhënë tri opsione rreth opozitarizmit: Memli Krasniqi, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Për LDK-në, vetëm kryetari i saj.  Nëse llogariten të gjitha përqindjet drejt, PDK del partia e parë me 30.6 % – si më aktivja. I kuptojmë tendencat e partive që në bashkëpunim me media të shtyjnë përpara lajme të caktuara – sepse efekti i punës së tyre në teren nuk po shihet askund”, ka shkruar Abdullahu.

Sipas elektoratit, përkatësisht 1 mijë e 66 të anketuarve, në vend të dytë është listuar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi me 17.4 për qind, duke lënë pas kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me 16.3 për qind.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdoan e ka krahasuar Benjamin…