Edhe këtë herë, Bardhyl Mahmuti na trondit me të vërtetat për aktet gjenocidale gjatë luftës së fundit në Kosovë
Shkruan: Dr. Valbona Emini, Doktor i shkencave gjuhësore dhe studiuese e koncepteve mbi parandalimin e mizorive masive dhe gjenocidit
E vërteta e tjetërsuar e pakuptuar dhe e papranuar shpesh peshon më shumë se një gur, një shkëmb e çdo peshë tjetër mbi supe. E vërteta është nevoja ekzistenciale për t’ju larguar absurditetit që na rrethon e tjetërson.
Edhe këtë herë Bardhyl Mahmuti na trondit me të vërtetat e shkruara rreth akteve gjenocidale gjatë luftës së fundit në Kosovë e na tregon me gjuhën e zgjedhur dhe të rrjedhshme se ka ende shumë për të treguar dhe ka ende shumë për të vepruar.
Për dëshmitarët gjaku rrjedh ende në mure e trupat kanë ngelur ende atje në Kosovë, në Poklek të Vjetër, në shtëpinë kremator, të gjymtuar, djegur e copëtuar ndaj të vërtetat e tyre duhen dëgjuar me kujdes, duhen raportuar me detaje, duhen përcjellë ndër breza e për ta duhet kërkuar drejtësi. Përndryshe me kohën gjaku do të thahet, trupat do të treten dhe dëshmitarët s’do të jenë përgjithmonë për të na shqiptuar qartë, me zërin e dridhur dhe sytë ende në tmerr atë që panë e përjetuan.
Fadil Muqolli që vjen si personazhi Syzif i romanit të Bardhyl Mahmutit është po aq ekzistencialist sa Sizifi i Kamysë, por barra e tij për njerëzit e vrarë dhe të djegur mizorisht “peshon mbi supet e shpirtit”. Pesha e tij për të hedhur dritë mbi absurditetin e heshtjes institucionale për krimet e kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë ngërthen në vetvete simbolikën e mbrojtjes së të vërtetës së pakontestueshme dhe padrejtësisë që i bëhet viktimave të gjenocidit që u vranë mizorisht dhe u dogjën në funksion të humbjes së gjurmëve të krimit.
Syzifi që u përball me dramën, dhimbjen si dënim pa pasur faj, shpesh është i heshtur dhe i dërmuar por i palëkundur në misionin e tij po aq sa i revoltuar ndaj indiferencës institucionale, që në vend të empatisë për të cilët janë të thirrur të dëshmojnë, ata jo vetëm që kanë futur “sy e vesh në lesh”, por përpiqen ta shurdhojnë edhe jehonën e britmave të Syzifit shqiptar, që të mos dëgjohej. E në këtë shurdhonjë Syzifi ynë përfytyron surrate politikanësh dhe reciton vargjet e fundit të poezisë “Laokonti”, të Ismail Kadaresë:
Në pafshi ndonjë ditë të bëhem copëra
nga marazi, siç thonë, të plas, t’ia bëj “krak”
jo kujtimet e Trojës, as gjarpërinjtë monstra,
po indiferenca juaj do të bëhet shkak!
Sikurse Sizifi i mitologjisë antike që duhet të rifillojë përpjekjet e tij për të ngjitur barrën në majë të malit si një përpjekje për të vazhduar jetën edhe Syzifi shqiptar nuk heq dorë nga përpjekja e vazhdueshme dhe ciklike për të nxjerrë në dritë të vërtetën.
Edhe Bardhyl Mahmuti si autor është po aq Sizif në ndërtimin dhe përcjelljen e të vërtetave në të gjithë dimensionin e tyre duke kontestuar dhe sqaruar vazhdimisht, në mënyrë të përsëritur dhe bindshëm të ashtuquajturat burime “të pakontestueshme”. Ai i kujton brezit të sotëm të magjepsur nga virtualiteti imagjinar, nevojën ekzistenciale për t’u marrë me thelb dhe jo me kukullat e teatrit absurd.
Pesha që Bardhyl Mahmuti si një Sizif mbart dhe përcjell ndër vite lidhet me përpjekjen për të mbrojtur të vërtetat dhe nuk resht së rrëfyeri se Kosova, ky vend i vogël në hartën e botës, u bë skena e madhe e një dhune, përmasat e së cilës janë të vështira për t’u kuptuar.
Përmes fakteve dhe përpjekjeve të dëshpëruara për manipulimin dhe tjetërsimin e tyre lexuesi njihet me të vërtetat dhe po ashtu revoltohet për drejtësinë marionetë në duart e së cilës po mbahen ende peng viktimat.
Revolta vjen e brishtë po aq sa një foshnjë që familja e quan kukullën e shtëpisë e po aq e ashër sa armiku që e kthen në një kukull viktimë në skenën e mashtrimit mediatik.
Revolta e Syzifit është një vepër madhore që i shtohet letërsisë shqiptare me një ndërthurje rrëfimesh realiste dhe historike në një kontekst absurd të ekzistencës sonë shoqërore.



