Ekonomistët: Kosova, 80 për qind e varur nga importi

04 shkurt 2024 | 10:14

Produktet ushqimore duke filluar nga pemët, perimet dhe ato të konservuara, janë produktet të cilat hyjnë në kategorinë e mallrave më të importuara në Kosovë. Këto mallra kryesisht importohen nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, bën të ditur për Arbresh.info, se gjatë vitit 2023 produktet më të importuar në Kosovë janë vajrat e naftës, cigaret dhe auto-veturat.

Kurse sa i përket vendit prej nga importohen ato, Stacilevi bën të ditur se prin shteti i Turqisë, duke pasuar me Gjermaninë dhe Kinën.

Ndërsa, Kosova gjatë vitit që kemi lënë pas ka eksportuar më së shumti mbështetës dhe mbajtës të dyshekëve, pajisjet për ndërtimin e plastikës, dhe tubacione.

Por, kush është fajtori për importin e madh dhe mungesën e prodhimeve vendore dhe eksportit?

Kryetari i Aleancës Kosovare për Biznes, Agim Shahini, për Arbresh.info thotë se janë tre fajtorë për importin e lartë në vendin tonë.

Si fajtori i parë ose kryesore, ai thotë se është qasja e Qeverisë së Kosovës ndaj prodhuesve vendorë, prodhuesin global dhe vetë tregtarët.

“Fajtor kryesor i importit të produkteve në Kosovë është qasja e qeverisë së Kosovës ndaj prodhuesve vendorë që nuk ju jep përparësi dhe mundësi për të zëvendësuar produktet e huaja në Kosovë. Fajtori i dytë është prodhuesi global i cili prodhon produkte jo me çmim që neve na konvenon por me çmim të tregut. Dhe e treta, janë tregtarët por ata e kanë biznes dhe kjo nuk varet prej tregtarëve të Kosovës por prej çmimeve dhe tregut global të prodhuesve të huaj”, thotë ai.

Sipas tij, politikat shtetërore nuk kanë qenë asnjëherë mbështetëse në prodhimtarinë vendore. Për këtë arsye, ai thotë se vendi ynë rreth 88 për qind varet nga importet.

“Politikat shtetërore të Kosovës nuk kanë qenë asnjëherë që e kanë mbështet prodhimtarinë vendore. Prandaj Kosova rreth 88 për qind varet nga importet. Dhe këto importe që na i importojmë nga vende të ndryshme, duke përfshirë vendet e Ballkanit të Evropës varen nga ata prodhues të cilët i prodhojnë atje dhe ne jemi të detyruar që t’i importojmë në Kosovë”, thotë tutje ai.
Shahini shton edhe faktin që transporti është një çështje tjetër që e ngrit koston e produkteve, e që në fund i paguan qytetari dhe konsumatori.

“Normal që edhe transporti është çështje që e ngrit koston e produkteve dhe të gjitha këto grumbullohen dhe në fund i paguan qytetari dhe konsumatori”, përfundon Shahini.

Berisha: Importi i lartë në Kosovë ndikon që një sasi e madhe e mjeteve monetare të dalin jashtë shtetit

Edhe ekonomisti Burim Berisha mendon se faji mbetet te mungesa e strategjisë qeveritare për zvogëlimin e importit në sektorët ku ka mundësi dhe potencial si te industria ushqimore, përpunuese, bujqësore etj.

“Faji mbetet te mungesa e strategjisë qeveritare për zvogëlimin e importit në sektorët ku ka mundësi dhe potencial si te industria ushqimore, përpunuese, bujqësore etj. Këto ditë ASK agjencia e statistikave të Kosovës na informoi se ne si Kosovë jemi duke importuar prodhime bujqësore të cilat toka e Kosovës mund ti prodhoi me sasi të mjaftueshme edhe për eksport”, thotë ai për Arbresh.info

Sipas tij kjo e tregon edhe një mungesë të koordinimit të dikastereve qeveritare se cilit sektor t’i kushtohet rëndësi në subvencione.

“Kjo e tregon edhe një mungesë të koordinimit të dikastereve qeveritare se cilit sektor ti kushtohet rëndësi në subvencione, investime kapitale dhe burime njerëzore. Dhe si ndikon kjo në ekonominë e Kosovës? Importi i lartë në Kosovë ndikon që një sasi e madhe e mjeteve monetare të dalin jashtë shtetit për të blerë mallra të ndryshëm që nuk do të kenë mundësin për të rritur prodhimin vendor. Importi i lartë tregon edhe një fakt shumë interesant se asnjë sektorë ku është subvencionuar nga qeveria për rritjen e prodhimeve vendore nuk ka pasur suksese”, thekson ai.

Për shkak të mos uljes së importit, Berisha thotë se ka ndikuar që të mos ketë rritje të qëndrueshëm të punësimit në gjitha sektorët, sipas tij si në të kaluarën edhe sot mungon strategjia qeveritare për subvencionimi e sektorëve ku duhet të ndihmohen në uljen e importeve.

“Mos suksesi në uljen e importeve ka ndikuar që mos të kemi edhe rritje të qëndrueshëm të punësimit në gjitha sektorët dhe sot kemi edhe ikje të mëdha të të rinjve nga Kosova. Si në të kaluarën edhe sot mungon strategjia qeveritare për subvencionimi e sektorëve ku duhet të ndihmohen në uljen e importeve, rritjen e prodhimit vendor, shtimin e punësimit dhe rritjen e eksporteve’’, shton ai.

Berisha thotë tutje se Ministria e Bujqësisë apo Tregtisë nuk duhet të krenohen që janë ndarë 200 milionë euro, por duhet të krenohen atëherë kur të ndalohet importi për shkakun e rritjes së prodhimit vendor.

“Si ministria e Bujqësisë apo Tregtisë nuk duhet të merren me shumën e mjeteve të ndara për subvencioneve e sektorëve apo produkteve, por me shtimin e sasisë së këtyre produkteve në tregun e Kosovës. Pra nuk duhet mu krenu se janë ndarë 200 milionë euro në bujqësi por cila prej produkteve bujqësore e importuar deri tani është ndaluar për shkakun e rritjes së prodhimit vendor dhe shtimi i kapaciteteve bujqësore dhe nuk importohet më ai produkt”, përfundon ai.

Kujtojmë se Kosova importon shumicën e produkteve nga vendet fqinje dhe ato të Bashkimit Evropian. Kryeministri i vendit Albin Kurti, gjatë një forumi në Gjakovë vitin që lamë pas, ishte shprehur se investimet direkte nga Shqipëria në Kosovë janë rritur në vitin 2022 në gati 80 milionë euro, nga mbi 15 milionë sa kanë qenë në vitin 2019./Arbresh.info/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksidentin me fatalitet…