Ekspertët kërkojnë nga qeveria të vendos taksë për emetuesit e karbonit

07 qershor 2023 | 14:44

Instituti Riinvest ka mbajtur debat me temën “Dekarbonizimi dhe taksa e karbonit”. Nga të pranishmit është thënë se dekarbonizimi është politikë që Kosova nuk mund ta shmangë nëse synon të jetë anëtare e Bashkimit Evropian (BE).

Në këtë kontekst, ata kanë kërkuar që si në çdo vend të botës edhe në Kosovë të fillojë taksimi i karbonit, në mënyrë të mbrohet mjedisi. Përmes një takse karboni është kërkuar nga qeveria të caktojë një çmim që duhet të paguajnë ndotësit për çdo ton të emetimeve të gazit.

Fjona Bakia, nga Instituti INDEP, ka thënë se çmimi në karbon është një politikë që Kosova nuk mund ta shmang për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE).

“Taksa e karbonit është e paevitueshme për Kosovën sado që ne nuk jemi pjesë e BE-së e organizatave ndërkombëtare. Gjithsesi ne jemi nënshkrues të Samitit të Sofjes dhe pjesë e komunitetit të energjisë dhe në këto pjesëmarrje ne jemi zotuar për dekarbonizim deri në vitin 2050. E ky zotim nuk duhet me qenë vetëm fjalë por duhet përcjell me veprime”, ka thënë Bakia.

Ndërsa udhëheqësi i Divizionit të Politikave të Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë, Adnan Preniqi, ka thënë se synojnë që deri në vitin 2030, konsumi final nga burimet e ripërtërishme të shkojnë deri në 30 për qind.

Në anën tjetër, Visar Vokrri nga Instituti Riinvest, ka thënë se dekarbonizimi në vendet skandinave ka filluar qysh në vitet e ’90-ta.

Sipas tij, aktualisht janë 40 vende në botë që e praktikojnë dekarbonizimin, me ç’rast ka kërkuar që Kosova të bëhet sa më shpejt pjesë e saj.

“Taksa nuk mjafton si e vetme duke pasur parasysh caqet ambicioze që vendet e zhvilluara e kanë para vetes. Madje disa vende e kanë luftë por kjo është edhe luftë globale. Taksa si e vetme nuk ka prodhuar efektet e duhura deri më sot, andaj vendet e ndryshme të botës kanë filluar të mendojnë më seriozisht për të adresuar këtë problem”, ka thënë Vokrri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka…