Emini-Kurteshi: “Flaka e Janarit”, manifestim që identifikon Gjilanin në aspektin kulturor

20 nëntor 2019 | 12:17

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), nën drejtimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal propozim-rregulloren për tatimin në pronë për vitin 2020, harmonizimin brenda kategorisë së pagave në Komunën e Gjilanit, propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për ngritjen e shtatores së heroit “Agim Ramadani”, propozim-projektin e përgjithshëm të manifestimit “Flaka e Janarit” 2020 si dhe informatën rreth PZHK-së dhe Hartës Zonale të Komunës.

Komiteti, në mënyrë unanime e ka rekomanduar propozim-projektin e manifestimit “Flaka e Janarit” 2020, që e ka prezantuar Deniza Limani, drejtoreshë për Kulturë, e cila ka thënë se tashmë është themeluar bordi dhe grupet punuese si dhe janë dorëzuar projekt-programet për secilën shtyllë të manifestimit.

Ndërkaq, duke u ndërlidhur me interesimet e opozitës, Nevzad Isufi (LV) e Riza Abdyli (PDK), rreth anës financiare si dhe konceptit të manifestimit, që siç u tha, ende mbetet sikurse në vitet e nëntëdhjeta, drejtoresha Limani tha se “Flaka…2020” do të ketë disa ndryshime cilësore te secila shtyllë e saj, prandaj është rritur pak edhe kostoja.

Ajo ka premtuar se të gjitha faturat e manifestimit do të sillen në Kuvend për diskutim të secilit shpenzim.

Kurse Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit, tha se “Flaka e Janarit” është manifestim unik kulturor, i cili mbështetet në katër shtyllat e tij kryesore që prej fillimit dhe nuk mundet kurrsesi të tjetërsohet, sepse vetëm si i tillë e identifikon Gjilanin. Synim i përhershëm mbetet ngritja e cilësisë, ka shtuar ajo.

Sa i përket rregullores së tatimit në pronë, sqarime ka dhënë drejtori i Buxhetit, Zijadin Maliqi, i cili tha se nuk ka ndryshime prej viteve të kaluara, duke nënvizuar faktin se Gjilani është komuna e vetme në Kosovë që ka normën më të ultë tatimore.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një nuse e re gati sa nuk humbi dasmën e…