Ende gruri i pakorrur nëpër ara

27 gusht 2018 | 11:52

Edhe në këto ditë në terren shohim shumë sipërfaqe me grurë nëpër ara. Gruri që ende rri në arë pa u korrur është rrëzë magjistrales Prishtinë – Shkup, në fshatin Qallapek dhe afër fabrikës së miellit në Smallushë të Komunës së Lipjanit.

Gjithashtu, sipërfaqe të tjera të grurit në fshatin Babush i Muhaxherëve ishin të rrethuara nga uji. Po ashtu, ara të shumta me grurë të pakorrur ka edhe në fshatin Cërnillë të Komunës së Ferizajt, afër rrugëkryqit që shpie për në fshatin Mirashë të kësaj komune.

Edhe këtu disa prej bujqve kanë deklaruar se sipërfaqe jo të vogla të grurit në fshatin Cërnillë kanë mbetur pa u korrur për shkak të reshjeve të përditshme të shiut në afatin kur duhej korrur gruri. Kështu, tash ky grurë, edhe po të mos e pengojë lagështia, nuk ia vlen të korret, sepse kokrra e grurit veç është prishur dhe nuk e merr asnjë mulli.

Edhe rendimentet do të jenë aq të ulëta saqë një hektar nuk prodhon 100 kilogramë grurë.

“Edhe mundi dhe shpenzimet në mbjelljen e tij sivjet kanë shkuar huq. Tash mendojmë që këto ara me grurë t’i bëjmë ugarë për mbjelljet e pranverës së ardhshme”, kanë pohuar disa nga bujqit e fshatit Cërnillë të Komunës së Ferizajt. Gjithashtu, sipërfaqe të grurit që ende mrizon nëpër ara ka edhe në fshatrat Bujari e Llugaxhi të Komunës së Lipjanit.
Edhe këtu bujqit kanë bërë me dije se këto sipërfaqe nuk do të korren se vetëm çka shtohen humbjet.

“Kombajnën duhet paguar pa pikë rezultati”, thonë banorët e këtyre fshatrave.
Edhe pronarët e disa mullinjve kanë deklaruar se gruri që ende nuk është korrur nuk do ta pranojnë në mullinjtë e tyre, sepse ai tashmë është i prishur.

Bazuar në të dhënat e marra nga terreni rezulton se sivjet fushata e korrje-shirjeve të grurit ka dështuar me të madhe si nga rendimentet, po ashtu edhe nga sipërfaqet që janë korrur me grurë. Andaj, droja e qytetarëve se sivjet mund të ketë ngritje të çmimit të miellit dhe bukës është e arsyeshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është duke marrë pjesë në…