Erzeni triumfon në ligën ‘Gjergj Kastrioti’

02 mars 2023 | 11:05

Erzeni ka triumfuar në finalen e madhe të Ligës “Gjergj Kastrioti”, meshkujt, të mërkurën mbrëma, pasi mposhti Partizanin në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Erzeni fitoi me rezultat të pastër 3-0 (25-18, 25-23, 25-21), për t’u shpallur kampion i edicionit të dytë të ligës së përbashkët të organizuar nga Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK) dhe Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV). Erzeni dominoi ndeshjen qysh nga fillimi, me setin e dytë që ishte diferenca më e ngushtë (dypikëshe), ndërsa me plot meritë në fund arriti të triumfonte.

Për kampionët kupën e ndanë presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci dhe presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli.

Medaljet e arta për  kampionët u ndanë nga nënkryetarja e FVK-së, Mimoza Shkodra, sekretari i përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Shqiptar, Gerti Shima dhe sekretari i FSHV-së, Ervis Dosti. Të argjendtat i ndanë anëtarët e bordit të FVK-së dhe FSHV-së, Valon Xhafaj, Abedin Mehani, Sokol Halili dhe Artur Dhimo.

Çmimin për MVP-në e ndeshjes të cilin e fitoi Asmend Kula, e ndau presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi. FVK-ja uron Erzenin për triumfin e merituar dhe përgëzon Partizanin për shpirtin kompetitiv të treguar përgjatë tërë edicionit të Ligës “Gjergj Kastrioti”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së shefes se grupit parlamentar të Lëvizjes…