Falja e 100 eurove nga tatimi në pronë, Gërxhaliu: Po dëmtohet buxheti i komunave

07 gusht 2023 | 11:41

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se vendimi për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë do të dëmtojë buxhetin e komunave dhe do të krijojë pakënaqësi.

Sipas tij, vendimi është një eksperiment që dëshmon mungesën e një dialogu të mirëfilltë.

“Vendimi tani për faljen e 100 eurove brenda vitit kalendarik të vitin 2023 besoj duhet të analizohet në tri aspekte. E para, në aspektin ekonomik nuk e kanë të gjitha komunat nivelin e njëjtë të zhvillimit dhe të hyrat nuk janë në nivelin e barabartë. Në rend të dytë nuk mund të krahasohet apo të jetë pikënisje komuna e Prishtinës me komunat tjera. Dhe në rend të tretë do të ketë definitivisht dëm të buxhetit të komunave dhe mu këto të hyra janë shtylla e funksionimit të institucioneve në nivel komunal. Prandaj besoj në aspektin social mund të arsyetohet, në aspektin institucional apo në aspektin komunal do te krijoj pakënaqësi dhe me siguri në të ardhmen duhet një vendim i tillë të korrigjohet”, ka thënë Gërxhaliu, duke kritikuar qeverinë për mungesë dialogu.

“Në mungesë të një dialogu të mirëfilltë sot bien vendime qeveritare në mënyrë arbitrare, vendime të cilat ose përfundojnë në gjykatë kushtetuese ose e dëmtojnë qoftë qytetarin, qoftë sektori privat, qoftë edhe niveli lokal, në këtë drejtim është bërë një eksperiment kohëve të fundit sa i përket tatimit në pronë, kemi pas ngritje, kemi pas pakënaqësi, kemi pas refuzim, kemi pas miratim”, ka thënë Gërxhaliu për “EO”.

Më tutje, Gërxhaliu ka thënë se vetëm përmes dialogut dhe kritikës konstruktive mund të bien vendime që janë në interes të qytetarëve dhe stabilitetit social.

“Duhet të mësojmë një herë e përgjithmonë që definitivisht dialogu nuk ka alternativë dhe vetëm përmes dialogut dhe kritikës konstruktive mund të bie vendime që janë në interes të qytetarëve dhe në interes të stabilitetit social duke aluduar gjithmonë që ky stabilitet dhe ky dialog do të ndikojnë në qëndrueshmërinë ekonomike që meriton Kosova”, është shprehur Gërxhaliu.

Kuvendi më 27 korrik ka miratuar ndryshimin e Ligjit të ri për tatimin në pronën e paluajtshme, i cili parasheh mundësinë për të përfituar nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në 100 euro, lirime tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore, kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor, zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024 dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Ganimete Muliu, ka…