Fazli Hoxha: Nisma Socialdemokrate po merr mbështetje të madhe në Gjakovë

01 qershor 2019 | 17:46

Nisma Socialdemokrate, Dega në Gjakovë, sot ka shënuar 5-vjetorin e themelimit, ku i pranishëm ishte edhe lideri i saj Fatmir Limaj dhe përfaqësues të lartë të Nismës.

Kryetari i Degës së Nismës Socialdemokrate në Gjakovë, Fazli Hoxha, ka thënë se për këto pesë vite rrugëtim në skenën politike është bërë punë e madhe nga strukturat dhe të gjithë anëtarët e Nismës Socialdemokrate në Gjakovë për fuqizimin dhe rritjen e saj në këtë rajon.

“Si kryetar dege, së bashku me ekipin tim, për këto pesë vite kemi zhvilluar takime të shumta me qytetarë, nga të cilët kemi kuptuar se këtij vendi i duhet një parti socialdemokrate e cila merret me hallet e tyre. E kjo është Nisma Socialdemokrate me në krye Fatmir Limajn e Jakup Krasniqin”.

“Dita – ditës Nisma Socialdemokrate në Gjakovë po forcohet dhe po zgjerohet me anëtarë të rinj. Programi socialdemokrat i Nismës po pëlqehet nga qytetarët e Gjakovës. Z. kryetar Fatmir Limaj, Nisma sot në Gjakovë nuk është ajo që ka qenë para pesë vjetëve, sot ju si lider keni pas vetës një mbështetje shumë më të madhe në Gjakovë, dhe kërkoj nga Ju një përkushtim edhe më të madh për Gjakovën për zhvillimin e këtij qyteti”, ka thënë Hoxha.

Ai ka shtuar se për këto pesë vite “jemi munduar me mish e me shpirt të punojmë me nder, duke qenë parti e fjalës për qytetarët e Gjakovës. Sot Nisma Socialdemokrate është pjesë e qeverisjes lokale. Angazhimi i saj në bashkëqeverisje në Gjakovë ka dhënë kontributin e saj për një mirëqenie me të mirë për qytetarët. Sigurisht se qytetarët presin angazhim edhe më të madh prej nesh, dhe ne nuk do të ndalemi, do të jemi adresë e mbrojtjes së tyre për një jetë më të mirë. Gjithashtu angazhimi i Nismës Socialdemokrate në Kuvendin Komunal përmes asamblistëve të saj u ka dhënë shtytje shumë projekteve në komunën e Gjakovës, ku pa përkrahjen e Nismës Socialdemokrate do të ishte problem që të kalojnë këto projekte. Pra, Nisma në Gjakovë është adresa për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe zhvillimin e kësaj komune!”, ka thënë ai.

Fazli Hoxha ka shtuar se sot, kur po festojnë këtë 5-vjetor, Nisma në Gjakovë ka shtrirje të fuqishme në gjithë këtë regjion. “Ka struktura të konsoliduara dhe kuadro të përgatitura për poceset që na presin”, është shprehur ai.

Kryetari i degës së Nismës Socialdemokrate në Gjakovë ka thënë se Nisma është një parti e cila po u jep shtytje zhvillimeve në vend.

“Është pjesë e Qeverisë së Kosovës me tri ministri, që përmes tyre po tregon pjekuri se si zhvillohet dhe ndërtohet shteti. Po ashtu, Nisma Socialdemokrate kontribut të jashtëzakonshëm është duke dhënë edhe në Parlamentin e Kosovës përmes deputetëve të saj, duke qenë pjesë e votimit të shumë ligjeve, nismave, dhe rezulutave në të mirë të shtetit dhe qytetarëve. Motori i gjithë këtij suksesi të Nismës Socialdemokrate në Qeveri, padyshim se është zëvendëskryeministri dhe lideri i partisë Fatmir Limaj, i cili me politikën e tij po përçon mesazh uniteti në mbrojtjen dhe fuqizimin e shtetit”, ka thënë Fazli Hoxha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes Trepça’89 - Vëllaznimi,…