FC Prishtina sërish kërkon ligë të përbashkët Kosovë – Shqipëri

07 shkurt 2019 | 16:59

FC Prishtina përmes presidentit Remzi Ejupi thotë se e ka gati projektin, por kërkon mbështetje institucionale për zbatimin e tij, pasi me të futbolli shqiptar mund t’i shpëtojë krizës financiare.

FC Prishtina e ka kthyer sërish në opinion temën rreth krijimit të një lige të përbashkët të futbollit në mes Kosovës dhe Shqipërisë, gjë që klubi më i madh kosovar e kërkonte edhe para anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA. Është presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, ai i cili përmes një gazete të Tiranës u ka bërë thirrje institucioneve relevante të Shqipërisë të merren seriozisht me këtë punë për të mirën e futbollit shqiptar.

“Po ju them se edhe Prishtina ka ndonjëherë probleme financiare. Kjo, pasi dihet që në Kosovë e kanë mbajtur futbollin ata që janë pasionantë të një vullneti të mirë. Janë harxhuar mbi 100 milionë euro nga lufta deri tani me dëshirën e mirë për ta mbajtur futbollin dhe asnjëherë nuk presin që një ditë t’u kthehen. Dashuria ndaj sportit ka bërë që të vijmë deri këtu. Mirëpo, natyrisht që është lodhur kjo kategori investitorësh edhe në Kosovë edhe në Shqipëri”, ka deklaruar Ejupi për “Panorama Sport”.

I pyetur se si mund të kalohet kriza financiare e futbollit shqiptar, ai përgjigjet: “Me një organizim të mirë. Kam qenë dhe jam i idesë se kampionatet në Shqipëri dhe Kosovë të kenë një bashkëpunim më të mirë. Kam qenë iniciator dhe kërkues për një ligë mbarëshqiptare. Prapë mendoj se do të ishte zgjidhja më e mirë”, ka theksuar ai.

“Arsyeja është e thjeshtë, do të jemi një treg më i madh, mbase i dyfishuar apo edhe më shumë sesa kaq, ku mbi të gjitha, do të jetë më shumë interesant që të kemi të paktën një ligë të fuqishme, pastaj për të respektuar rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s, liga në Shqipëri dhe në Kosovë të vijojnë. Jo vetëm kaq, por pse jo, të mos kishte 2, 3 apo 4 ekipe nga Kosova në kampionatin shqiptar”, ka potencuar numri 1 i FC Prishtinës.

Ai ka ide se si mund të fillojë realizimi i kësaj ideje. “Mbase një turne apo kompeticion ndarazi nga kampionatet si hap i parë? Është e vërtetë kjo që thoni. Ka qenë ide prej kohësh që të bëhet një kompeticion dhe të organizohet fillimisht me një Kupë me emër heronjsh që i kanë dhënë Shqipërisë apo Kosovës. Pse të mos quhet “Kupa e Skënderbeut?” Të organizohet, të nisë dhe ta provojmë që të ecim dalëngadalë dhe për të parë nëse mund të mbërrijmë atje ku ju përmenda më lart (liga mbarëshqiptare)”, ka theksuar ai.

Ai beson se politika nuk mund ta pengojë krijimin e një garë të përbashkët. Ndërsa potencon se klubi bardh e kaltër e ka projektin gati. “Po, kemi një projekt të tillë, të cilin kohë më parë ua kemi propozuar federatave për të nisur me një Kupë të nominuar nga presidenti shqiptar apo nga të dyja anët dhe të nisim që në vitin e ardhshëm. Është hapi i parë me pjesëmarrje të gjerë dhe me sistem eliminimi që do niste rrugën për te kampionati i përbashkët”, ka vazhduar Ejupi.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E dashura e Emiliano Salas, e cila një muaj më…