Federata e Golfit e Kosovës ka aplikuar për t’u bërë pjesë e Federatës Evropiane

21 shtator 2022 | 11:26

Federata e Golfit e Kosovës edhe zyrtarisht ka aplikuar që të bëhet pjesë e Federatës Evropiane të Golfit dhe pret që kjo të arrihet pas dy muajve. Lajmin e ka dhënë nënkryetari i kësaj federate, Lavdim Zylfiu, në një konferencë për medie, duke deklaruar se është shumë optimistë se kjo edhe do të arrihet.

“Ju informojmë se Federata e Golfit e Kosovës do ta organizojë kampionatin e radhës, kampionatin e tretë shtetëror të golfit me datë 30 shtator në resorin e golfit në Gjermani në të cilin do të marrin pjesë 55 lojtarë të golfit të cilët do të udhëtojnë 10 shtete të ndryshme të botës dhe në këtë kampionat do t’i kemi pesë lojtare femra të kualitetit jashtëzakonisht të lartë. Ky kampionat me kënaqësinë më të madhe ju informoj se do t’i paraprijë anëtarësimit të Federatës së Golfit të Kosovës në Europian Golf Asociation, e njohur si EGA, e që është organizata më kulminante e golfit në kontinentin e vjetër. Ne si federatë zyrtarisht kemi aplikuar dje për t’u bërë anëtari më i ri në EGA dhe aplikimet i kemi marrë dy javë më herët në një bashkëbisedim dhe bashkërendim të aktivitetit së bashku me zyrtarët e EGA-s”, ka thënë Zylfiu, i cili më pas ka zbuluar edhe hollësi të tjera, duke thënë se tani e tutje kjo federatë do ta ketë himnin e saj në garat ndërkombëtare i cili do të intonohet para ndeshjeve si dhe është prezantuar edhe fanella e re e skuadrës.

“Pas 60-ditësh pritet që të mbahet kongresi i madh i EGA-së në Lozanë të Zvicrës ku besoj se do të jemi prezent dhe ne jemi optimistë që Kosova me shumicë votash do të bëhet anëtarja më e ri e Federatës Evropiane të Golfit. Në këtë kampionat i kemi paraparë për këtë vit edhe disa detaje shtesë. Për herë të parë do të intonohet himni i Federatës së Golfit të Kosovës me datë 30 shtator, një himn që besoj do ta keni rastin ta dëgjoni pas kampionati… Përveç kësaj, reprezentuesit e Kosovës për herë të parë këtë vit do të paraqiten në kampionatin e Kosovës me ndërresat e saj zyrtare. Nga viti i ardhshëm për herë të parë Federata e Golfit e Kosovës, përkatësisht Republika e Kosovës, do të zhvillojë gara zyrtare në sportin e golfit, ku do të ballafaqohet fillimisht me të gjitha shtetet e rajonit dhe me shtetet e tjera evropiane”, ka shtuar Zylfiu.

Ai është shprehur se kjo federatë ka buxhet të mjaftueshëm për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare edhe pse procesi i rilicencimit po paraqet disa pengesa të vogla në mbarëvajtjen e aktiviteteve të saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria gjermane ka rënë dakord që të shtetëzojë kompaninë më…