
Federeri: Karriera ime ka përfunduar
Tenisti zviceran Roger Federer, në një intervistë për CNBC, ka rrëfyer se ka marrë mjaft oferta nga disa turne për të luajtur sërish pavarësisht se u tërhoq nga sporti në shtatorin e vitit të kaluar.
Pesë muaj pasi i ka thënë “lamtumirë” karrierës në turneun e Laver Cup, fituesi i 20 grand slameve sqaron të ardhmen e tij.
“Nuk jam fans i rikthimeve. Kur mora vendimin për t’u tërhequr kam reflektuar gjatë dhe e dija që nuk do të kthehesha më për të luajtur tenis. Nuk jam penduar për zgjedhjen që kam bërë, pasi e di që e kam shtrydhur mirë limonin deri në pikën e tij të fundit”, u shpreh Roger Federer. “E them me gojën plot se karriera ime ka përfunduar. Problemet në gju i bënë shumë të vështira vitet e fundit të karrierës time, nuk e mohoj këtë gjë. Nëse para katër vjetësh do të më thoshin se do të bëja tri operacione në gju do të vija duart në kokë”, u shpreh Federeri, që vijon të stërvitet sa herë që ka kohë.