Feronikeli me fitore ndaj Dritës synon të bëhet lider

25 nëntor 2018 | 08:53

Kastriot Rexha ka konfirmuar se Feronikeli do të luajë ndaj Dritës për ta fituar ndeshjen, pasi tri pikët do ta rikthenin këtë skuadër në pozitën e parë në IPKO Superligë. “Do të jetë një ndeshje interesante për faktin se të dyja skuadrat kanë futbollistë cilësorë dhe kanë synime të mëdha në këtë edicion. Ne jemi në garë për pozitën e parë, prandaj shkojmë në Gjilan për ta marrë maksimumin e pikëve”, ka thënë Rexha. Ndërsa mesfushori Endrit Krasniqi ka paralajmëruar se edhe Drita kërkon fitore.

KF Feronikeli në Gjilan synon ta marrë maksimumin e pikëve ndaj kampiones aktuale të elitës, KF Drita, dhe në këtë mënyrë të rikthehet në pozitën e parë në IPKO Superligë. Në fakt, Prishtina barazoi me Ferizajn dhe një fitore eventuale në derbin e së dielës do ta rikthente “Niklin” në pozitën e parë.

Ish-sulmuesi i skuadrës së Dritës dhe tash i Feronikelit, Kastriot Rexha, ka thënë për “Epokën e re” se të dielën do të jetë një derbi i vërtetë, pasi kualiteti i të dyja skuadrave është i madh. “Do të jetë një ndeshje interesante për faktin se të dyja skuadrat kanë futbollistë cilësorë dhe kanë synime të mëdha në këtë edicion. Ne jemi në garë për pozitën e parë, prandaj shkojmë në Gjilan për ta marrë maksimumin e pikëve. Në aspektin personal është një ndeshje e veçantë, pasi kam luajtur dhe kam pasur suksese me Dritën, por ne jemi profesionistë dhe gjithçka është normale”, ka thënë Rexha, i cili vlerësohet ndër lojtarët më meritor për suksesin e skuadrës gjilanase në rrugëtimin drejt titullit kampion.

Për ndeshjen që zhvillohet të dielën në kuadër të xhiros së 16 foli edhe mesfushori i Dritës, Endrit Krasniqi. Ky i fundit beson se skuadra e tij do ta arrijë fitoren dhe ta shkurtojë diferencën e pikëve me Feronikelin dhe Prishtinën.

“Kemi pasur kohë për përgatitje dhe jemi të gatshëm për ndeshjen derbi ndaj Feronikelit. Presioni është te Feronikeli, skuadër e cila duhet gjithsesi të fitojë për të mbetur në hap me Prishtinën, kurse edhe ne kemi synimet tona që të mbesim në hap me skuadrat e para në tabelë. Shpresojmë se do ta arrimë fitoren, pa harruar se kundërshtari ka ekip cilësor”, ka deklaruar Krasniqi.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Dritës, Endrit Krasniqi. Ky i fundit beson se…