Feronikeli me Tovërlanin kërkon rikthimin e trofeve

03 gusht 2020 | 11:40

Skuadra e Feronikelit ka nënshkruar kontrata të reja me trajnerin Afrim Tovërlani dhe mesfushorin Besmir Bojku.

Ish-kampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës në futboll, Feronikeli, është treguar skuadër aktive të dielën. Klubi nga Drenasi nuk e mbylli sezonin në mënyrën më të mirë dhe për t’i rikthyer sukseset në edicionin e ri 2020/2021 ka vendosur që skuadrës të vazhdojë t’i prijë trajneri Afrim Tovërlani.

“Toki” skuadrës nga Drenasi iu bashkua pesë muaj më parë dhe puna e korrektësia e tij bënë që kryetari Naser Ramaj t’i ofrojë kontratë të re. Sipas njoftimit të këtij klubi, kryetari Ramaj ka thënë se e vlerëson shumë trajnerin Tovërlani dhe se është i lumtur me marrëveshjen e re. Ndërsa vetë trajneri ka bërë me dije se deri te vazhdimi i bashkëpunimi me “Niklin” kanë ndikuar shumë faktorë. “Arsyet pse e vazhdova kontratën janë të shumta, por më të rëndësishme janë serioziteti dhe besimi të cilët ma kanë ofruar kryetari dhe zyrtarët e klubit. Pastaj kushtet e punës dhe mobilizimi për të krijuar një skuadër për titull, natyrisht se na bëjnë të ndihemi mirë dhe me angazhimin e të gjithave do të jemi aty ku dëshirojmë ne. Po ashtu, na bëjnë të ndihemi mirë edhe tifozët e ‘Niklit’ dhe të gjithë qytetarët e Drenasit të cilët në vitet e fundit janë mësuar me tituj dh Kupa”, ka thënë Tovërlani për faqen zyrtare të klubit.

Skuadra e Feronikelit vazhdoi kontratën edhe për një vit me mesfushorin e dalluar Besmir Bojku. Mesfushori shqiptar nga Maqedonia e Veriut, pas paraqitjes fantastike, i bindi drejtuesit e klubit nga Drenasi për një marrëveshje të re me KF Shkëndijën edhe për sezonin e ri. “Jam i lumtur që do të jem pjesë e Feronikelit edhe për sezonin e ardhshëm. Falënderoj presidentin, drejtorin dhe trajnerin për besimin që patën në mua. Për objektivat e klubit nuk duhet të flasësh shumë pasi dihet se Feronikeli synon majat e futbollit vendor. Na prift e mbara!”, ka thënë Bojku, i cili ka gjithsej 40 paraqitje me Feronikelin dhe ka shënuar 5 gola.

Aktive edhe Ballkani dhe Llapi

Në fundjavë aktive në transferime është treguar edhe skuadra e Ballkanit, e cila ka transferuar ish-sulmuesin e Feronikelit, Mevlan Zeka dhe ish-portierin e Gjilanit, Kenan Haxhihamza. “Nënshkruam kontratën dyvjeçare me Mevlan Zekën dhe kontratë trevjeçare me Kenan Haxhihamzën”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.

Klubi nga Suhareka, që dështoi të shpallet kampion në IPKO Superligë dhe triumfoi në finalen e Kupës, ka rinovuar kontratën me mbrojtësin Arbër Potoku.

Një transferim të rëndësishëm e ka bërë edhe skuadra e Llapit, e cila ka arritur marrëveshje me Ardit Peposhin, i cili luan në pozitën e mbrojtësit të majtë dhe është paraqitur në 31 ndeshje me Bylisin në edicionin 2019/20 dhe ka realizuar 2 gola e 4 asistime. “Peposhi është paraqitur me sukses në 190 ndeshje për klubet si: KF Tirana me të cilën ka fituar Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë, pastaj KF Teuta, KF Korabi, KF Kukësi dhe, së fundmi, për FK Bylis”, thuhet në njoftimin e Llapit.

(V.Z / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, i…