Fetahu dhe Dushku, pjesëmarrës në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës

14 maj 2024 | 13:44

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, kanë marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës.

Asambleja e Përgjithshme e FIBA Evropës është mbajtur më 11 maj në Portoroz të Sllovenisë.

Asamblenë e Përgjithshme e ka kryesuar Presidenti i FIBA Europes, Jorge Garbajosa, ku ishin të pranishëm edhe Presidenti i FIBA-s, Sheikh Saud Ali Al Thani, Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis, Drejtori Ekzekutiv i FIBA-s për Evropë, Kamil Novak dhe anëtarët e Bordit të FIBA Europe, ku është edhe Kryetari i FBK-së.

Matjaz Han, Ministri slloven për Ekonominë, Turizmin dhe Sportin, i uroi mirëseardhjen delegatëve dhe shprehu krenarinë e tij, që organizimi po mbahet në Slloveni, një vend i apasionuar pas sportit dhe veçanërisht basketbollit.

Garbajosa i kushtoi vëmendje të veçantë përpjekjeve të FIBA Europe për të sjellë ide dhe inovacione të reja në basketboll, si për garat e klubeve ashtu edhe ato kombëtare, duke i dhënë ende prioritet programeve bazë dhe zhvillimit.

Në fjalimin e tij, Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Zagklis u ndal në pozicionin e lojës së basketbollit të Evropës në hartën e basketbollit botëror. Ai mori si shembull organizimin e Botërorit të vitit të kaluar. Ai gjithashtu përsëriti rëndësinë e strategjisë së FIBA-s dhe tre shtyllave të saj – Fuqizimi i Federatave Kombëtare, Gratë në Basketboll dhe Formimi i garave ndërkombëtare të klubeve – dhe synimet e zhvillimit të basketbollit të të rinjve; duke e bërë 3×3 sportin urban më emocionues; arritjen e përvojës në organizimin e garave të ekipeve kombëtare; qëndrueshmërinë dhe inovacionin.

Një sërë ndryshimesh në aktet nënligjore të FIBA Europe u miratuan nga Asambleja e Përgjithshme. Asambleja e Përgjithshme e FIBA Europe 2025 do të mbahet në Letoni, ndërsa sesioni i vitit 2026 do të organizohet nga Federata e Basketbollit të Islandës në Reykjavik.

Më 10 maj, Dushku ka marrë pjesë në takimin e Sekretarëve të Përgjithshëm të Federatave anëtare të FIBA Europe-s, që po ashtu u zhvillua në Slloveni, ku është diskutuar për tema të rëndësishme në basketbollin ndërkombëtar.

Mbledhja e katërt e Bordit të FIBA Europe, me mandat 2023-2027, është mbajtur të premten në Portoroz të Sllovenisë, ku mori pjesë edhe Fetahu.

Gjatë takimit u diskutuan tema të rëndësishme si EuroLiga e Femrave 2024-25, Garat e Klubeve 2023-24, Garat e Ekipeve Kombëtare, si dhe Bordi miratoi datat për raundin e dytë Parakualifikues të Kupës Botërore të Basketbollit FIBA 2027 në gusht 2025 (2, 6, 9, 13, 16 dhe 20 gusht). Mbledhja e radhës e Bordit do të mbahet në Stamboll, Turqi, më 28 nëntor 2024.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, përkatësisht kryetarja e Komisionit për…