FFK dhe Komuna e Prishtinës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për avancimin e infrastrukturës sportive
Federata e Futbollit e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit, përmes të cilit do të zhvillohet infrastruktura sportive në kryeqytet.
Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ku i pranishëm ishte edhe drejtori për sport i kryeqytetit, Kushtrim Mushica.
Ky memorandum do të fillojë me zbatimin e projektit të rëndësishëm për ndërtimin e fushës së futbollit në Hajvali, për nevojat e KF ‘Prishtina e Re’.
Ky është vetëm hapi i parë i një programi më të gjerë të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve e që synon përmirësimin e infrastrukturës së futbollit dhe sportit në përgjithësi në kryeqytet.
Bashkëpunimi mes FFK-së dhe Komunës së Prishtinës do të vazhdojë edhe në realizimin e projekteve të tjera infrastrukturore, të cilat do të rrisin standardin dhe do të krijojnë kushte optimale për komunitetin sportiv dhe rininë e kryeqytetit.