FFK-ja pranohet në Konventën e UEFA-s për licencën “Fitness B”
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka marrë konfirmimin zyrtar nga UEFA për pranim në Konventën e Trajnerëve në nivelin shtesë të diplomës “Fitness B”, pas përfundimit me sukses të kursit të parë për “UEFA Fitness C” nga Departamenti i Edukimit në FFK.
Në shkresën e UEFA-s, e nënshkruar nga shefi i Zhvillimit të Trajnerëve në UEFA, Kris Van Der Haegen është konfirmuar se raporti pozitiv i vlerësimit për kursin inaugurues të “Fitness C” është shqyrtuar dhe miratuar nga paneli përkatës i UEFA-s, duke i hapur rrugë FFK-së për anëtarësim në këtë nivel të ri të Konventës.
Me këtë vendim, FFK-ja tashmë ka të drejtë të organizojë dhe të lëshojë diploma dhe licenca “UEFA Fitness B” për kandidatët që përmbushin kriteret dhe përfundojnë me sukses programin përkatës, në përputhje me standardet dhe rregulloret e UEFA-s. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në avancimin e sistemit të edukimit të trajnerëve në Kosovë dhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e përgatitjes fizike. Departamenti i Edukimit në FFK do të vazhdojë të ofrojë programe cilësore dhe të harmonizuara plotësisht me standardet evropiane, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e futbollit në vend. Pranimi në nivelin “Fitness B” dëshmon punën serioze dhe të qëndrueshme të FFK-së në ndërtimin e një strukture moderne të edukimit të trajnerëve.



