Filloi konferenca vjetore ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”

27 shtator 2022 | 15:01

Nën organizimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, ka filluar të martën konferenca vjetore ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”, e cila do të zgjasë dy ditë.

Në ditën e parë të kësaj konference morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, shefi i shtabit të KFOR-it, gjeneralbrigade John B. Bozicevic, drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Joachim Hoppe, zyrtarë dhe oficerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, ambasadorë, atashe të mbrojtjes si dhe përfaqësues tjerë diplomatikë dhe ushtarakë të të gjitha shteteve partnere.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, ministri Mehaj ka theksuar se së bashku me shtetet partnere do të zhvillojnë FSK-në për mbrojtjen e vendit për të jetësuar vizionin për anëtarësim në NATO.

“Falënderoj të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët me praninë e tyre në këtë Konferencë dhe me mbështetjen e tyre të pandërprerë, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, kanë kontribuar në forcimin e FSK-së, ku si rezultat FSK-ja është në gjendje të japë përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën, duke dëshmuar se mund të kontribuojë për paqen dhe sigurinë edhe në nivel ndërkombëtar”, ka theksuar ministri Mehaj, duke shprehur gjithashtu falënderim të veçantë ShBA-së dhe aleatëve të tjerë evropianë, për kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në forcimin e FSK-së si dhe në procesin e suksesshëm të zbatimit të Planit Gjithëpërfshirës 10-vjeçar të tranzicionit.

Ndërsa zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, u shpreh i bindur se kjo konferencë ndihmon në ngritjen dhe thellimin e aktiviteteve të ndërsjella dhe në mbështetje të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së.

Me fjalë rasti, të pranishmëve iu drejtuan edhe shefi i shtabit të KFOR-it, gjeneralbrigade John B. Bozicevic, drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Joachim Hoppe, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Konferenca ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022” do të vazhdojë edhe të mërkurën, me sesionet punuese në nivel të takimeve me përfaqësuesit e vendeve partnere veç e veç, për sinkronizim të koncept-planeve për periudhën pasuese një vjeçare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Darwin Nunez u transferua nga Benfica te Liverpool gjatë verës…