Filloi zbatimi i premtimit për mbështetjen e fermerëve në Rahovec
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i shoqëruar nga drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Behar Thaqi, si dhe zyrtarë të drejtorisë, vizituan Qendrën Grumbulluese për Pemë dhe Perime “Agrocelina” në Xërxë, ku po e konkretizojnë një tjetër hap të rëndësishëm në mbështetje të bujqësisë.
“Përmes kësaj mbështetjeje po shpërndahen rreth 500,000 fidanë dhe preparate për spërkatje, duke u ofruar fermerëve kushte më të mira për punën e këtij sezoni. Kjo mbështetje mundëson mbjelljen e rreth 7 hektarëve me tranguj dhe të 5 hektarëve me speca kortosk. Përfitues nga ky partneritet (80% Komuna e Rahovecit dhe 20% “Agrocelina”) janë 150 bujq. Në këtë formë e rrisim prodhimin vendor, i fuqizojmë bujqit tanë dhe e përmirësojmë dukshëm cilësinë e produkteve bujqësore. Do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë bujqve tanë, duke i mbështetur ata në çdo hap, sepse zhvillimi i bujqësisë nënkupton më shumë të ardhura për familjet tona dhe një ekonomi lokale më të fortë”, ka theksuar kryetari Smajl Latifi.



