Fillon implementimi i nismës për ndarjen e bursave të diasporës për studentët e UP-së

26 dhjetor 2023 | 15:54

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ka mirëpritur ne takim Fitim Bozhdarajn, filantrop shqiptaro-amerikan, me të cilin ka biseduar rreth mundësisë së ofrimit të bursave nga diaspora, për studentët e Universitetit të Prishtinës.

Fitim Bozhdaraj po angazhohet për bursa dyvjeçare, për studentet e UP-së, të cilat do t’i dhuroj në ditëlindjen e tij më 26 dhjetor 2023.

Dy bursa studentore, me një vlerë të përbashkët prej 2,000 euro, janë ofruar nga Bozhdaraj dhe do të dhurohen në emër të familjes së tij në formë donacioni.

Një bursë vjetore prej 1,000 euro do t’i dhurohet një studenteje të shkencave kompjuterike, në nder të Ajsa Bozhdaraj.

Ndërkaq, bursa tjetër në vlerë prej 1,000 euro do të dhurohet në nder të Mujë Bozhdaraj, për një student të mjekësisë.

Rektori Qerimi ka vlerësuar gatishmërinë e Bozhdarajt dhe njëkohësisht ka ofruar ndihmën e UP-së për ta zgjeruar atë në të ardhmen, duke zhvilluar një projekt të veçantë që do të mundësoj që edhe anëtarët e tjerë të diasporës sonë të mbështesin arsimimin e të rinjve në Kosovë.

Rektori Qerimi dhe Bozhdaraj janë pajtuar për të punuar së bashku për krijimin e një data bazë, e cila do të ofrojë strukturën dhe burimet informative të nevojshme për të nisur mbështetjen e diasporës për studentët e UP-së.

“Rinia e fuqishme është e ardhmja e Kosovës. Rinia që largohet nga Kosova lë Kosovën pa një të ardhme. Ne duhet të inkurajojmë talentin teknologjik dhe mjekësor për të ndërtuar një të ardhme në Kosovë dhe t’u ofrojmë çdo mundësi për këtë. Me ketë iniciative, shpresoj të frymëzojë anëtarë të tjerë të diasporës për të dhënë bursa”, ka theksuar Bozhdaraj.

Universiteti i Prishtinës ka ndërmarrë edhe iniciativa të tjera për përfshirjen e diasporës, duke krijuar mundësi të reja për ta.

Në këtë drejtim, brenda faqes zyrtare të UP, është lansuar sektori “Diaspora”, ku ofrohen mundësi të veçanta për të rinjtë tanë në diasporë për të ju bashkuar UP-së.

Fitim Bozhdaraj është një absolvent i Universitetit të Michiganit dhe Shkollës së Menaxhimit Kellogg dhe ka një karriere të dëshmuar në fushën e financave dhe teknologjisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Lipjanit zgjodhi së fundmi sportistët më të mirë…