Fitimi neto i bankave në Kosovë mbi 47%, eksperti: Aksionarët morën dividentë me zero tatim

06 gusht 12:29

Në bazë të të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në vitin 2021, fitimi neto i 11 bankave komerciale në Kosovë ishte rreth 117.5 milionë euro. Në krahasim me vitin 2020, kjo ishte një rritje prej mbi 47%, ndërsa, në krahasim me vitin 2019, kjo ishte një rritje prej mbi 36%.

Eksperti i ekonomisë Edison Jakurti deklaroi se në fund të tremujorit të vitit të kaluar BQK lejoi bankat që të shpërndajnë dividenta tek aksionarët ndërsa shuma e dividentave ishte 96.6 milionë euro e që sipas tij kanë dalë jashtë Kosovës meqë aksionarët janë të huaj.

“Pas një ndalese të përkohshme nga BQK, në tremujorin e fundit të 2021 bankat u lejuan të shpërndajnë dividentë tek aksionarët. Në bazë të raporteve vjetore të tyre, 5 nga 11 banka shpërndanë dividentë në vlerë prej mbi 96.6 milionë euro. Ndonëse këta miliona janë krijuar në Kosovë, për shkak se shumica e aksionarëve janë të huaj, këta miliona kanë dalë nga Kosova”, tha Jakurti.

Ai ngriti edhe një tjetër shqetësim e që ka të bëjë me mos pgaesën e tatimit për devidenta, pasi Kosova është vendi i vetëm që nuk ka tatim mbi dividentë.

“A e dini se sa tatim u pagua për këto 96.6 milionë euro? Zero. Sepse Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka tatim mbi dividentë pavarësisht rrethanave, gjë që nuk ndodhë as në Estoni e Latvi, si vendet ku në raste të caktuara nuk paguhet tatim mbi dividentë. Me fjalë tjera, nëse ke qenë punëtorë në Kosovë dhe ke marrë pagë të tatueshme mbi 80 euro – ke paguar tatim. E ke mbajtur një trafikë të vogël – ke paguar tatim. Por nëse ke qenë aksionar dhe ke pranuar miliona të ardhura nga dividenta – nuk ke paguar asnjë cent tatim. Kjo nuk është e drejtë, prandaj duhet të ndryshojë”, përfundoi Jakurti. 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko, ka bërë të…