Fitojnë Llapi dhe Malisheva

18 shkurt 2024 | 15:19

Kanë përfunduar edhe dy ndeshjet e fundit të javës së 20-të të Superligës së Kosovës. Llapi ka fituar 2:1 ndaj Dukagjinit, ndërsa Malisheva e ka “shkatërruar” Fushë-Kosovën duke fituar 4:1.

Skuadra e Tahir Batatinës e ka filluar shumë mirë gjysmën e dytë të sezonit, duke fituar të dy ndeshjet deri më tani, kështu për t’u afruar në katër pikë me liderin, Ballkani. Në anën tjetër Malisheva pasi ka humbur në ndeshjen e parë, kësaj radhe e kishte shumë të lehtë ndaj Fushë-Kosovës.

Për skuadrën e Llapit gjithçka ka filluar mirë në këtë takim, pasi vetëm pas gjashtë minutave Dukagjini ka shkaktuar penallti dhe ka mbetur me një lojtar më pak në fushë.

Ishte Besir Iseni që ka luajtur me dorë në zonën e penalltisë, për t’u ndëshkuar me karton të kuq direkt. Nga pika e bardhë Muhamet Hyseni është treguar i saktë, duke e dërguar Llapin në epërsi 1:0.

Vendasit duke pasur epërsinë numerike në fushë dhe kanë treguar lojë më të mirë në vazhdim. Ata kanë shënuar edhe një gol në fund të pjesës së parë, por goli pas një rishikimi në VAR është anuluar dhe skuadrat kanë shkuar në pushim me rezultatin 1:0.

13 minuta pasi ka filluar pjesa e dytë, Llapi e ka gjetur golin edhe një herë. Ishte përsëri Hyseni që ka shënuar për 2:0.

Dukagjini ka arritur të shënonte një gol krejt në fund, në minutat shtesë, kur Victor Hugo është treguar i saktë nga penalltia për 2:1, por kaq ishte nga ata.

Ndërsa Fushë-Kosova për asnjë moment nuk ishte skuadër e barabartë me Malishevën, me këta të fundit që me shumë lehtësi fituan këtë përballje.

Vetëm pesë minuta kanë kaluar kur ish-sulmuesi i Fushë-Kosovës Rilind Haziraj, ka shënuar për Malishevën, për 1:0.

Në minutën e 26-të Altin Aliu ka dyfishuar rezultatin, ku skuadrat kanë shkuar në pushim me këtë rezultat.

Pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, kapiteni i Fushë-Kosovës, Dominik Ivkic, ka shënuar autogol, për ta çuar rezultatin në 3:0.

Për 4:0 ka shënuar Laurent Xhylani në minutën e 70-të, ndërsa Fushë-Kosova krejt çfarë ka arritur të bënte në këtë takim ishte goli për 4:1 i shënuar në minutën e fundit nga Dorent Hajdari.

Malisheva me këtë fitore rrëmben pozitën e katërt, me 32 pikë nga 20 ndeshje, ndërsa Fushë-Kosova gjendet në vendin e parafundit, pa shumë shpresa për mbijetesë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar të dielën…