Flet i ftuari nga Gjykata Speciale: Besoj në luftën e drejtë të UÇK-së

06 janar 2019 | 22:11

Ish-drejtori i Drejtorisë politike të UÇK-së për Zonën e Pashtrakut, Sabahajdin Cena, do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale.

Ai, nuk dyshon në luftën e pastër të UÇK-së.

“Jam i gatshëm të paraqitëm, sepse kemi bërë luftë të drejtë”, u shpreh Cena për televizionin publik.

Cena, muajin e kaluar, ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, që më datë 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për t’u intervistuar lidhur me aktivitetin dhe angazhimin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Ftesën e kam pritur si shumë normale. Jam i gatshëm që të përgjigjem për luftën time, ma merr mendja burrërore dhe heroike për qëndrimin tim si intelektual gjatë luftës”, ka thënë ai.

Cena tregon se në ftesë nuk është definuar se në çfarë cilësie është ftuar nga Specialja.

“Në ftesë nuk është e definuar se në çfarë cilësie jam ftuar, por pavarësisht kësaj unë jam i gatshëm të paraqitem”.

Ai thotë se edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë, çdo gjë e luftës i kujtohet.

“Nuk ka milimetër që nuk më kujtohet. Ka mundësi që ndonjë storie ndoshta e kem harruar, por nëse ata me pyetjet e tyre më ndihmojnë do të më kujtohet dhe përgjigjem. Kemi zhvilluar një luftë të drejtë, sepse nuk kemi shkuar të luftojmë në Kralevë, por e kemi mbrojtur Rahovecin e Kosovën”, shprehet ai.

Cena kërkoi nga të gjithë ata që kanë marrë dhe do të marrin ftesa të tilla t’ju përgjigjen Gjykatës Speciale.

“Kemi zhvilluar një luftë të drejtë, prandaj duhet të mbrojmë luftën tonë çlirimtare”, u shpreh Cena.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje!, ka prezantuar një anketë të realizuar në muajin…