Franca do ta mbështes Kosovën në rrugën e integrimit euroatlantik 

11 shtator 2019 | 14:39

Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim njohës ambasadoren e re të Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel.

Me këtë rast, kryeministri e ka njoftuar ambasadoren për progresin e Kosovës dhe për orientimin properëndimor të shtetit si dhe përkushtimin e institucioneve në zbatimin e rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik dhe proceset tjera me rëndësi për vendin.

Duke falënderuar shtetin francez për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë vendit tonë në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike, kryeministri Haradinaj, ka thënë se thellimi i bashkëpunimit në aspektin politik dhe ekonomik ndërmjet dy vendeve tona është i një rëndësie të veçantë.

“Partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Francës është dhe do të jetë afatgjatë. U jemi mirënjohës për gjithë mbështetjen që i keni dhënë Kosovës në të gjitha aspektet. Është e rëndësishme që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në këtë fazë të rëndësishme nëpër të cilën po kalon Kosova”, ka thënë ai.

Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe lëvizja e lirë për qytetarët tanë është e një rëndësie të veçantë, duke kërkuar ndihmën e Francës në këtë proces.

Më tej, kryeministri Haradinaj, ka theksuar se Kosova mirëpret angazhimin dhe rolin e Francës, presidentit Macron dhe iniciativës së tij për ta përkrahur Kancelaren Merkel në procesin e dialogut me Serbinë, për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht obligative, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues.

Kurse ambasadorja Marie-Christine Butel, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke thënë se Franca do të jetë mbështetëse e Kosovës në rrugën e saj të integrimit euroatlantik.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndonëse Anglia fitoi me rezultatin 5-3 ndaj Kosovës,  nuk kanë…