Fshatrat e Ferizajt me kërkesa të shumta për investime infrastrukturore

12 shtator 2019 | 17:59

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt, ka organizuar të enjten një takim me kryetarët e fshatrave të kësaj komune lidhur me temën e hartimit të buxhetit dhe përfshirjen e nevojave të lokaliteteve të ndryshme në kuadër të këtij buxheti.

Fillimisht përfaqësues nga OSBE-ja dhe drejtoresha për Buxhet e Financa në Ferizaj, Sebahate Ajeti-Sadiku, kanë shpjeguar se buxheti i vitit 2020 tashmë është i hartuar, por kërkesat e qytetarëve mund të barten edhe për vitet e ardhshme pasi, sipas tyre, zgjedhja e kryetarëve të fshatrave e ka lehtësuar tashmë adresimin e nevojave të komuniteteve.

Ndërsa përfaqësues të disa fshatrave paraqitën ankesat e tyre për çështjet të cilat i mundojnë duke filluar nga mungesa e ujit nëpër shtëpitë e tyre, e deri te ndërtimi i fushave sportive.

Kurse kërkesa për intervenime të ndryshme pati edhe nga kryetarët e lagjeve të qytetit. Nga ana tjetër udhëheqës të qeverisë lokale të Ferizajt kanë potencuar se në bazë të disa planifikimeve gjatë vitit të ardhshëm do të bëhen shpime të reja për burime të ujit si dhe plane konkrete për realizim të nevojave të tjera infrastrukturore.

Buxheti i Komunës së Ferizajt, pas shumë procedurave të hartimit dhe dëgjimeve buxhetore, tashmë i është dorëzuar Kuvendit dhe pritet të miratohet në seancën e radhës. Ai peshon mbi 36 milionë euro dhe ka përfshirë një numër të madh të projekteve, ku rreth 3 milionë euro janë planifikuar vetëm për projektet kapitale.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka pritur të…