FSK-ja trajnon specialistët e komunikimit, 12 pjesëtarë përfundojnë me sukses kursin ‘Harris’
Dymbëdhjetë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses Kursin e Komunikimit – Niveli 2, duke fituar njohuri dhe aftësi të avancuara në konfigurimin, instalimin, programimin dhe funksionalizimin e sistemeve të komunikimit “Harris”.
Gjatë këtij trajnimi, kursantët janë aftësuar në përdorimin e sistemeve moderne të komunikimit ushtarak, të cilat mundësojnë komunikim të sigurt, të besueshëm dhe efikas gjatë operacioneve, ushtrimeve dhe aktiviteteve të ndryshme taktike.
Sipas Forcës së Sigurisë së Kosovës, sistemet “Harris” përdoren gjerësisht nga forcat e armatosura të vendeve partnere dhe kanë rol të rëndësishëm në rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet njësive dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Përfundimi i këtij kursi vlerësohet si një hap i rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit të komunikimit dhe në forcimin e aftësive operacionale të FSK-së.
Ky trajnim pritet të kontribuojë në sigurimin e mbështetjes më efikase për komandimin dhe kontrollin në të gjitha nivelet e operacioneve, duke rritur gatishmërinë dhe profesionalizimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.



