GAP-i: Kryetarët e komunave s’i përmbushën 636 premtime

07 shtator 2023 | 12:45

Instituti GAP ka publikuar shkallën e përmbushjes së premtimeve zgjedhore të 27 kryetarëve të komunave, ku ka njoftuar se nga 1 mijë e 816 premtime, 473 janë përmbushur, 285 janë gjysmë të përmbushura, 422 janë të filluara dhe 636 nuk kanë filluar ende.

Sipas GAP-it, numri më i madh i premtimeve të përmbushura janë nga fusha e arsimit, kulturës, ekonomisë dhe shërbimeve publike.

“Tek fusha e arsimit prijnë përmbushja e premtimeve në ofrimin e bursave, në krijimin e kabineteve dhe laboratorëve, në mirëmbajtjen e hapësirave shkollore, transparencës në përzgjedhjen e stafit, si dhe mbulimin e transportit për nxënësit. Tek fusha e ekonomisë, disa nga premtimet e përmbushura ndërlidhen me mbështetjen e bizneseve të reja, krijimin e zyrave për biznes, dhe mbështetjen e bizneseve në promovimin e produkteve të tyre”.

“Kurse tek fusha e shërbimeve publike, parkingjet për automjete, shënjëzimi dhe sinjalizimi në komunikacion, ndriçimi publik, si dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra, janë ndër premtimet që janë përmbushur nga më shumë kryetarë të komunave. Në fushën e kulturës, janë përmbushur premtimet si organizimi i festivaleve dhe manifestimeve të ndryshme, ndarja e mjeteve buxhetore për mbështetjen e aktiviteteve teatrale, atyre të galerive dhe organizimeve të tjera kulturore”,  ka njoftuar GAP-i.

Më tutje, GAP-i ka bërë me dije se numri më i vogël i premtimeve të përmbushura janë nga fusha e urbanizmit, sportit dhe infrastrukturës.

“Në këtë të fundit, nga gjithsej 199 premtime të dhëna nga 27 kryetarë të komunave, deri më tani janë përmbushur vetëm 13 premtime (7 për qind). Në periudhën e njëjtë të mandatit të kaluar, kjo fushë printe me numrin e premtimeve të përmbushura. Ngecje vërehet edhe në fushën e urbanizimit, sikurse në hartimin e planeve rregulluese, planeve zhvillimore urbane dhe hartave zonale”, ka njoftuar GAP-i.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD),…