GAP-i: Me TC “Kosova e re” rryma shtrenjtohet për 40 për qind

15 prill 2018 | 15:44

Instituti për Studime të Avancuara GAP ka prezantuar një pjesë të analizës me titull “Ndikimi i TC ‘Kosova e Re’ në tarifat e energjisë elektrike”.

Analisti i politikave në Institutin GAP, Agron Demi, gjatë një konference për medie të dielën ka thënë se propozimi fillestar për ndërtimin e termocentralit “Kosova C” është paraqitur në vitin 2005, ku me Strategjinë e Energjisë (2005-2015), Qeveria e Kosovës kishte planifikuar ndërtimin e një termocentrali me kapacitet prej 2.100 MW dhe me një kosto prej 3.5 miliardë euro.

“Me ndryshimet në qeverisje në fund të viti 2008 projekti për termocentralin e ri është ndryshuar, si për nga emërtimi i cili filloi të quhej ‘Kosova e Re’ ashtu edhe për nga kapaciteti energjetik. Fillimisht është propozuar që termocentrali i ri të ketë kapacitet prej 1000 MW, për t’u ndryshuar më vonë në 600 MW. Në mars të viti 2012 Qeveria e Kosovës ka dërguar tek katër kompanitë e parakualifikuara thirrjen finale për ofertim. Nga katër kompanitë e parakualifikuara, më 23 nëntor të vitit 2015 është shpallur ofertuesi i vetëm “Contour Global’, ka thënë Demi.

Ai ka thënë se përkundër asaj se thirrja për ofertim ishte dërguar duke u bazuar në Ligjin për prokurimin publik, i cili parasheh si të suksesshëm një proces tenderues me së paku dy oferta, Qeveria nuk e anuloi procesin përkundër marrjes së vetëm një oferte.

Demi ka theksuar se ndërtimi i “Kosovës së Re” është projekt i cili ka ndikim të gjithanshëm në ekonomi, buxhetin e shtetit, shëndet, ambient, zhvendosje të popullsisë, borxhin publik e ndikime të tjera. “Por në këtë raport të shkurtër, Instituti GAP ka analizuar vetëm ndikimin në tarifa të energjisë që do të ketë ndërtimi i termocentralit të ri sipas marrëveshjes së nënshkruar”, ka thënë Demi.

Ai ka theksuar se në interpelancën e cila do të mbahet  nesër  (e hënë) për termocentralin “Kosova e Re”, një ndër rekomandimet që duhet të dalë nga kjo seancë është që t’i kërkohet Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) një raport zyrtar për ndikimin e këtij termocentrali në tarifat e energjisë.

Ndërsa Blend Hyseni, hulumtues në Institutin GAP, ka thënë se me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” çmimi i cili paguhet nga konsumatorët do të pasojë një ngitje kumulative prej 44 për qind në krahasim me çmimin aktual. “Ndërsa çmimi mesatar me shumicë do të rritet në rreth 61.4 euro MWh apo rreth 86 për qind rritje kumulative në krahasim me çmimin aktual”, ka deklaruar Hyseni.

Ai ka theksuar se modeli i paraqitjes së rritjes së çmimeve të energjisë elektrike për vitet 2018-2026 është tejet konservativ, pasi sipas tij nuk merren për bazë investimet tjera që do të bëhen në tregun e energjisë, siç janë dekomisionimi i TC “Kosova A”, investimet në TC “Kosova B” prej afër 300 milionë euro dhe investimet e tjera në mihje të cilat detyrimisht do të reflektohen në tarifa.

Hyseni ka thënë se nga grupet më të rrezikuara nga rritja e çmimit të energjisë janë familjet të cilat jetojnë nën kufirin e varfërisë.

“Nëse bazohemi në të dhënat e prezantuara nga ZRrE-ja rreth shumës së faturuar nga KEDS-i për amvisëritë, çmimin mesatar aktual të energjisë elektrike dhe numrin e konsumatorëve aktivë, del se fatura mujore e energjisë së këtyre qytetarëve do të jetë mbi 18 për qind (40 euro) e të ardhurave mujore të tërë familjes. Nga investitorët e mëdhenj të huaj në Kosovë, njëherësh konsumatorë industrial, ‘Ferronikeli’ dhe ‘Sharrcemi’ varen në masë të madhe në përdorimin e energjisë elektrike. Konkretisht, ato konsumojnë së bashku mbi 12 për qind të energjisë së prodhuar në vend dhe furnizohen direkt nga rrjeti i transmisionit”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se çmimi me të cilin janë furnizuar këto dy ndërmarrje ndër vite nuk ka kaluar vlerën prej 50 euro për MWh, vlerë kjo sipas tij më e ulët se ajo për shitjen e energjisë elektrike me pakicë tek konsumatorët dhe bizneset e vogla.

Republika e Kosovës dhe kompania amerikane “Contour Global” kanë nënshkruar më 20 dhjetor të vitit 2017 marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Sipas kësaj marrëveshje për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re” do të investohen 1.3 milion euro dhe do të krijohen mbi 10 mijë vende të reja pune.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pak ditë më parë, Niko Kovaq është emëruar si trajneri…