Gashi dhe Hasani, ATK-së: Zbatojeni Ligjin për Sponsorizim

03 prill 2019 | 15:08

Ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi, i shoqëruar nga këshilltari për Sport, Daut Thaqi, ka vizituar të mërkurën Komitetin Olimpik të Kosovës, me ç’rast është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes MKRS dhe KOK-ut për vitin 2019.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani ka vlerësuar lartë mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Sportit për Komitetin Olimpik, si dhe për federatat dhe sportistët përmes nënshkrimit të memorandumeve.

“Nënshkrimi i memorandumit mes MKRS-së dhe KOK-ut ka rëndësi të jashtëzakonshme për ne, sepse plani strategjik dhe realizimi i objektivave strategjike duan edhe mbështetje financiare. I premtoj ministrit dhe Lëvizjes Olimpike se KOK-u do të angazhohet maksimalisht në arritjen e të gjitha objektivave të saja strategjike. Ne kemi mbështetje edhe nga komuniteti i biznesit, andaj plani ynë është të dominojë në të ardhmen mbështetja e biznesit me përqindje edhe më të lartë”, ka thënë Hasani.

Ministri Gashi, duke shprehur kënaqësinë e të qenit në zyrat e KOK-ut, rikonfirmoi mbështetjen e madhe që ka për Lëvizjen Olimpike dhe gjithë federatat tjera.

“Jam këtu më shumë për të dhënë një mesazh mbështetje dhe përkushtimi si qeveri dhe organizatat tjera sportive, që janë pjesë e KOK-ut, pasi është ombrella e sportit në Kosovë dhe jemi të lumtur që kemi një lidership shumë të përgatitur dhe që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme vitin e kaluar, dhe me siguri të lartë e them se viti 2018 ishte më i suksesshmi, ku sportistët vendit tonë i sollën rreth 100 medalje. MKRS ka rritur mbështetjen për organizatat sportive prej 1.4 milionë Euro sa ka qenë në vitin 2017 në 3.2 milionë euro për vitin 2019”, ka thënë ministri Gashi.

Presidenti Hasani dhe ministri Gashi, i bënë thirrje së bashku Administratës Tatimore të Kosovës, që ta zbatojnë Ligjin për Sponsorizime, si dhe gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që Ligjin për të Ardhurat në Korporata ta harmonizojnë me Ligjin për Sponsorizime, në mënyrë që t’i krijojnë hapësirë më të madhe investimeve të biznesit në sport. Të dy palët u dakorduan që të harmonizohet Ligji për Sport, bazuar në zhvillimet që po ndodhin në Lëvizjen Olimpike Botërore dhe sportin në përgjithësi.

Ministri zbuloi edhe lajmin e mirë për çështjen shumë të përfolur të ndërtimit të Qendrës Nacionale të Xhudos, duke theksuar se bashkërisht me Federatën e Xhudos së Kosovës janë duke shikuar mundësinë e një tjetër alternative të gjetjes së lokacionit për ndërtimin e kësaj qendre, pasi sipas tij, pritjeve të shumta të organeve komunale të Pejës u ka ardhur fundi.

Më këtë rast ministri Gashi i dha një lajm të mirë edhe Komitetit Olimpik të Kosovës, për të cilët theksoi vendimin e MKRS-së që KOK ta shfrytëzojë edhe një kat të objektit të Shtëpisë së Sportit, në mënyrë që të ketë hapësira më të mëdha të punës. Sipas tij, Departamenti i Sportit në MKRS-së do të zhvendoset në një objekt tjetër.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia në Pejë në bashkëpunim edhe me inspektorët komunalë kanë…