Prishtina mposht Drenicën dhe vazhdon marshimin drejt titullit kampion!
Heroi i kryeqytetasve ishte Assane Diatta, i cili realizoi të tre golat e ndeshjes. Sulmuesi e zhbllokoi rezultatin në minutën e 40-të, për t’i dhënë epërsinë Prishtinës para përfundimit të pjesës së parë.
Diarra e dyfishoi epërsinë në minutën e 67-të, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë, në minutën e 72-të, kompletoi tregolëshin e tij personal për rezultatin përfundimtar 3-0.
Drenica e pati edhe më të vështirë pas minutës së 66-të, kur Erion Idrizi u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë skuadrën mysafire me një lojtar më pak. Me këtë fitore, Prishtina vazhdon të kryesojë bindshëm në tabelë me 35 pikë nga 14 ndeshje të zhvilluara.
Kryeqytetasit kanë tetë pikë më shumë se Malisheva e vendit të dytë, që ka një ndeshje më pak, si dhe 11 pikë më shumë se kampionia në fuqi, Drita, që renditet në pozitën e tretë.
Në anën tjetër, Drenica mbetet në vendin e tetë me 12 pikë. Në xhiron e ardhshme, Prishtina do të luajë në udhëtim ndaj Feronikelit ‘74, ndërsa Drenica do ta presë Vushtrrinë.



